Janë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar nga policia greke pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Athinë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas pakistanez.
Sipas mediave greke, në pranga kanë rënë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç dhe Adi Beqiri, 27 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që organizoi sulmin ndaj pronarit të një dyqani celularësh në zonën e Patisias.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:30, kur një person hyri në dyqanin e telefonave celularë në rrugën “Patision” dhe qëlloi me armë zjarri pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.
Menjëherë pas sulmit, autori u largua me një automjet tip “BMW” ngjyrë gri, ku e prisnin edhe tre persona të tjerë. I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, ndërsa policia nisi një operacion të gjerë për kapjen e autorëve.
Pas një ndjekjeje spektakolare në rrugët e Athinës, makina e të dyshuarve u lokalizua në rrugën “Tsounta”, pranë bulevardit “Kifissou”, në aksin drejt Lamias. Gjatë tentativës për t’u arratisur, automjeti u përplas me disa mjete të tjera, deri sa u neutralizua nga forcat e policisë.
Në përfundim të operacionit u arrestuan dy shqiptarët dhe një shtetas grek, ndërsa një person i katërt arriti të largohej dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të sulmit dhe rolit të secilit prej të arrestuarve në ngjarje.



