Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e drejtuar prej rreth katër muajsh nga Besmir Beja, është përfshirë në një seri denoncimesh për tenderë të dyshimtë, fryrje kostosh dhe lëvizje të brendshme në administratë.
Sipas informacioneve të ardhura nga brenda administratës doganore, gjatë kësaj periudhe janë përgatitur disa procedura prokurimi me vlera të larta, ndërsa paralelisht janë kryer emërime, transferime dhe largime punonjësish që ngrejnë dyshime për kontroll të brendshëm të strukturës.
Një nga procedurat më të diskutuara lidhet me përshtatjen e një godine në zonën e “5 Majit”, ku pritet të zhvendoset Administrata Doganore. Godina është marrë në përdorim nga Doganat vitin e kaluar dhe, sipas denoncimeve, nuk bëhet fjalë për ndërtim të ri, por për ndarje ambientesh dhe instalime teknike, përfshirë fibra optike, linja telefonike dhe instalime elektrike.
Vlera e parashikuar për këtë procedurë është 125 milionë lekë, ose rreth 1.3 milionë euro. Pikërisht kjo shifër ka ngritur dyshime, pasi sipas burimeve nga doganat, kostoja konsiderohet e fryrë në raport me natyrën e punimeve që do të kryhen.
Në regjistrin e parashikimeve të prokurimeve publike rezulton se procedura është planifikuar për t’u hapur, me financim nga buxheti i shtetit.
Një tjetër procedurë që pritet të hapet lidhet me blerjen e uniformave dhe veshjeve të tjera speciale. Fondi i parashikuar është 36,134,166 lekë. Dokumentet shoqëruese për sasinë, specifikimet dhe materialet nuk janë publikuar ende, por brenda administratës janë ngritur dyshime se edhe kjo procedurë mund të ketë kosto të fryrë.
Sipas burimeve nga Doganat, shqetësimi nuk lidhet vetëm me vlerën, por edhe me mënyrën se si po përgatiten procedurat. Pretendohet se komisionet dhe strukturat që hartojnë apo vlerësojnë dokumentet po ndikohen nga njerëz të afërt me drejtimin e ri.
Në të njëjtën periudhë, Doganat kanë planifikuar edhe blerjen e një minibusi për transportin e personelit. Fondi i parashikuar është 26,667,000 lekë. Edhe kjo vlerë ka ngritur pikëpyetje, pasi sipas denoncimeve, në procedura të mëparshme me vlera më të ulëta janë blerë më shumë mjete.
Dyshimet për tenderët shoqërohen edhe me pretendime për lëvizje të brendshme në administratë. Burime nga Doganat thonë se disa punonjës janë transferuar ose larguar nga pozicionet e tyre, pasi nuk kanë pranuar të firmosin apo të mbështesin procedura të caktuara.
Një rast i përmendur lidhet me një tender për plumbçe, ku sipas burimeve, një punonjëse që nuk ka pranuar të firmosë për favorizimin e një kompanie është transferuar më pas në një detyrë tjetër.
Këto lëvizje kanë shtuar dyshimet se po synohet kapja e strukturave vendimmarrëse brenda Doganave, sidomos në komisionet e vlerësimit të ofertave dhe në drejtoritë që kanë rol në prokurime, kontrolle dhe administrimin e pikave kufitare.
Denoncimet prekin edhe aktivitetin doganor në terren. Sipas burimeve të brendshme, në disa pika doganore ka dyshime për tolerim të mallrave të padeklaruara, veçanërisht në rastin e furgonëve që sjellin mallra nga vende si Anglia, Gjermania, Italia apo Greqia.
Një rast i përmendur lidhet me datën 22 prill, kur në Durrës janë rikontrolluar furgonë që vinin nga Anglia. Sipas burimeve, pas këtij rasti janë bërë edhe ndryshime në strukturën drejtuese, duke larguar një drejtues dhe duke vendosur një tjetër.
Në administratën doganore ka gjithashtu pretendime për skema informale që lidhen me makinat luksoze. Sipas denoncimeve, ndërsa qeveria ka deklaruar kontrolle për automjetet e shtrenjta, në praktikë dyshohet se janë krijuar mënyra për pagesa nën dorë, duke shmangur detyrimet që duhej të përfundonin në buxhetin e shtetit.
Të gjitha këto pretendime kërkojnë verifikim nga institucionet ligjzbatuese. Nëse denoncimet provohen, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për parregullsi administrative, por për një skemë që mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta mbi buxhetin, konkurrencën dhe sigurinë ekonomike të vendit.
Doganat janë një nga institucionet më të rëndësishme fiskale të shtetit. Çdo dyshim për tenderë të fryrë, emërime klienteliste, tolerim kontrabande apo pagesa informale në pikat doganore nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme administrative.
Për këtë arsye, denoncimet mbi periudhën e parë të drejtimit të Besmir Bejës në krye të Doganave duhet të verifikohen me dokumente, procedura dhe përgjegjësi konkrete. Në të kundërt, institucioni rrezikon të kthehet nga një strukturë kontrolli fiskal në një mekanizëm ku kontrollohen punonjësit, tenderët dhe pikat kufitare. /gazetajone



