Menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike ku shfaqej një punonjës i sigurisë private duke goditur me grusht shtetasin E. S. gjatë protestës së banorëve të Zvërnecit në zonën e Portonovës, Policia e Shtetit ka identifikuar, shoqëruar dhe arrestuar autorin e dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi G. B., 32 vjeç, banues në Durrës, punonjës i shoqërisë private të sigurisë së kantierit. Ai dyshohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Nga hetimet paraprake rezulton se Gerald Biba ka goditur me grusht shtetasin E. S. dhe më pas, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, të proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt ambientit të rezervuar për rojet, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të analizuar të gjitha veprimet e ndodhura gjatë tubimit të zhvilluar më 30 maj 2026 nga banorët e fshatit Zvërnec.
Paralelisht me hetimin penal, është urdhëruar edhe nisja e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për mënyrën e menaxhimit të protestës dhe masat e marra gjatë zhvillimit të saj.
Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.



