Teksa tregu shqiptar dhe fuqia blerëse konsiderohen të ulëta për një koncert masiv me një audiencë të pritshme prej 60 mijë personash dhe çmime biletash të standardeve ndërkombëtare, shpresa e organizatorëve dhe qeverisë është për tërheqjen e turistëve të huaj.
Koncerte të përmasave të tilla me audiencë të pritshme mbi 50 mijë persona organizohen në qytete të mëdha, që kanë si kërkesën, fuqinë blerëse ashtu dhe infrastrukturën.
Deri tani, koncerti i pritshëm i Kanye West më 11 korrik, i promovuar nga organizatorët si një event me interes të jashtëzakonshëm nuk po shoqërohet nga tregues ekonomikë që zakonisht reflektojnë një kërkesë të tillë. Shenja e parë vjen nga sektori i fluturimeve.
Në teori, shpallja e koncertit dhe shitja e biletave do të duhej të sillnin një efekt të matshëm në rezervimet e biletave të avionëve drejt Tiranës.
Një pjesë e vizitorëve nga rajoni mund të zgjedhin transportin tokësor ose detar, por trafiku ajror pritej të ishte ndër përfituesit kryesorë të eventit. Me koncertin që është në më pak se dy muaj, turistët përveç prerjes së biletave të shfaqjes, duhet të kishin rezervuar edhe udhëtimin.
“Monitor” kontaktoi me “Wizz Air”, kompaninë low-cost që ka pjesën më të madhe të tregut vendas të fluturimeve, me rreth 60%, për të kuptuar nëse ishte vërejtur ndonjë rritje e pazakontë e kërkesës. “Në këtë pikë mund të konfirmojmë se nuk shohim ndonjë lidhje mes datës së koncertit dhe një kërkese më të lartë për bileta”, deklaroi kompania.
Një tjetër tregues që normalisht do të reflektonte rritje të fortë të interesit është tregu i akomodimit. Të dhënat aktuale nga Booking.com tregojnë një situatë relativisht të zakonshme për kulmin e sezonit turistik. Një kërkim për periudhën 10–12 korrik nxjerr ende 1,648 hotele dhe apartamente të disponueshme.
Vetëm për natën e 11 korrikut, me largim më 12 korrik, rezultojnë 1,456 listime aktive, me çmime që nisin nga 10–15 euro për dy persona dhe arrijnë deri në nivele shumë më të larta për vila apo struktura me kapacitete të mëdha.
Pamja ka një kontrast të ndjeshëm me precedentë apo ngjarje të ngjashme. Në maj 2022, kur u zhvillua finalja e UEFA Europa Conference League Final 2022, në stadiumin “Air Albania”, mes AS Roma dhe Feyenoord, tregu i akomodimit reagoi menjëherë.
Edhe pse ndeshja luhej më 25 maj, rezervimet për netët 24–25 maj arritën në çmime nga 600 deri në afro 10 mijë euro për njësi. Ky ishte një efekt i algoritmit që tregonte kërkesën e lartë, sepse më pas çmimet u stabilizuan.
Në atë kohë, tifozët e të dyja skuadrave kishin nga 4 mijë bileta secila, ndërsa rreth 8 mijë vende të tjera u shpërndanë për publikun vendas dhe të huaj.
Në këtë kontekst, pritshmëritë për koncertin e Kanye West që sipas organizatorëve mund të mbledhë deri në 60 mijë persona në Tiranë do të duhej të kishin ndikim shumë më të dukshëm dhe më të hershëm në tregun e fluturimeve dhe të akomodimit. Deri tani, treguesit nuk po e mbështesin këtë narrativë, me përjashtim të rajonit.
Interes nga rajoni
Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, shprehet se është vënë re një rritje e interesimit dhe rezervimeve për datat mes 9-12 korrik që lidhet edhe me datën e koncertit. Kryesisht, sipas tij, rezervimet vijnë nga vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia apo Mali i Zi.
“Ka një rritje të rezervimeve nga vendet e rajonit dhe kjo bie në sy për ato data. Mendoj se në ato ditë të korrikut, Tirana do të jetë plotësisht e rezervuar”, tha z. Topuzi. /Marrë nga Monitor.al



