-900-0-1781335639xgreupng-885

Në një aksion të gjerë hetimor të SPAK, me lëshimin e 20 urdhër-arresteve, janë goditur dy grupe të dyshuara kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe një rrjet bashkëpunëtorësh (biznesmenë të njohur) në fushën e biznesit, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave në Shqipëri.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një skemë ku të ardhurat nga trafiku i kokainës në Evropë kanalizoheshin përmes investimeve në pasuri të paluajtshme dhe projekte ndërtimi në vend. Këtu hyjnë në rol biznesmenët, si Orest Sota apo Artur Shehu, etj.

Në dosjen e siguruar nga ZËRI, SPAK ka dokumentuar një nga episodet, çështje ndër më të diskutuara, që ka ndezur jo pak herë debat, ‘takimet në Aruba’. Sipas dosjes, në Aruba janë zhvilluar takime mes personave të hetuar, të cilat sipas SPAK kanë shërbyer për koordinimin e veprimtarisë së trafikut të narkotikëve, si dhe për diskutimin e investimeve dhe qarkullimit të parave në Shqipëri.

“Nga analizimi i të dhënave të përftuara (nga autoritetet gjyqësore të Drejtësisë së Mbretërisë së Spanjës të procedimit penal që ata kanë pasur në ndjekje; në komunikimet e kryera prej tyre në platformën enkriptuar SkyEcc, nga përgjimet e komunikimeve elektronike, si edhe në analizim të akteve noteriale të lidhura mes tyre dhe personave te tretë të autorizuar prej tyre) janë mësuar të dhëna të rëndësishme lidhur me personat nën hetim, të cilët konsistojnë:

-në takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë e Aruba, takime të cilat konsistuar në vitet 2018- 2021 kryesisht në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikeve, por edhe për investime në Shqipëri”, thuhet ne dosje.

Sipas hetimeve, nga analizimi i dokumenteve noteriale dhe komunikimeve, personat nën hetim dyshohet se kanë kryer veprime të ndryshme juridike të maskuara me qëllim fshehjen e origjinës së parave.

Në një pjesë tjetër të dosjes theksohet se personat nën hetim kanë kryer takime edhe jashtë shtetit dhe kanë komunikuar në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë, pa dhënë emra apo detaje konkrete për ta.

Po ashtu, personat nën hetim dyshohet se kanë bërë veprime të ndryshme për të zhvilluar prona dhe për të siguruar leje ndërtimi përmes mënyrave të tërthorta. Megjthatë, rezulton se një pjesë e tyre është penguar për shkak të hetimeve apo sekuestrimeve.

Pjesë nga dosja:

Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikime të kryera rezulton se, personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti janë përfshirë në kryerje të veprimeve fillimisht për të zhvilluar pronën, më pas në veprime juridike të maskuara me dhurim me qëllim që me lidhjet e tyre të mund të nxirrnin leje ndërtimi. Për këtë fakt, rezultuar të dhënave të dërguara nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërore.

Nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi që është bërë për pjesën ideale që subjekti Denis Matoshi kishte përftuar me anë të dhurimit, kërkesë e cila ishte dërguar për konfiskim, si dhe fakti që nuk është arrituar të revokohej kontrata e lidhur më parë, si dhe pavarësisht këtyre fakteve, grupi kriminal nëpërmjet personit nën hetim Adrian Rama ndjekin veprimet e kryera edhe në kuadër të ndërtimit të Shkollës së Biçikletave dhe sipas komunikimeve që ai kryen ai për zhvillimin e saj është në pritje të planeve të zhvillimit.

Sa më sipër personat nën hetim rezulton të jenë përfshirë në veprime që konsistojnë në fshehjen e natyrës së vërtetë të veprimit, për të shmangur justifikimin e burimit të ligjshëm të të ardhurave për shkak të vlerës që ka kjo sipërtoke toke, nisur nga pozicioni i saj gjeografik dhe zhvillimit të zonës; – transferimin e pasurisë tek disa persona (veprime të njëpasnjëshme) me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme, përfituar nga të ardhura të rrjedhura nga aktiviteti kriminal;

– si dhe në fshehjen e transferimit të pasurisë tek persona pa probleme, por që janë të lidhur me persona që kryejnë aktivitet kriminal, fakte të cilat tregojnë se këto pasuri zotërohen nga vetë personat nën hetim, por veprimet janë kryer për fshehur lidhjen e tyre me tokën apo zhvillimin e saj.

Aktualisht në lidhje me këtë prone nuk janë përftuar të dhëna nëse për tokën janë kryer veprime të tjera për zhvillim të saj, marrë parasysh edhe karakterin sekret të hetimeve, hetim i zhvilluar pa kryer hetime të hapura.