Gjatë fjalës së tij në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te sfidat me të cilat është përballur Shqipëria, duke përmendur dezinformimin, çështjet mjedisore dhe akuzat për korrupsion.
Rama deklaroi se vendi është përballur jo vetëm me sulme kibernetike, por edhe me fushata dezinformuese, të cilat sipas tij kanë krijuar pakënaqësi dhe tensione në opinionin publik.
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilin është përballur edhe Shqipëria. Kishte edhe dezinformata. U tha se do të ketë masakër mjedisore, u tha se ka korrupsion madhor, pa u provuar kjo gjë. Indinjata nga dezinformimi krijoi mijëra të pakënaqur. Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, por edhe europian e botëror. Por ata që bëjnë linçime digjitale do të humbasin herët a vonë”, u shpreh Rama.
Në të njëjtën konferencë, kryeministri theksoi se Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të rajonit për shkak të pasurive natyrore dhe pozicionit gjeopolitik. Ai shtoi se Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt integrimit europian dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian përpara përfundimit të kësaj dekade.



