Partitë politike vijojnë të jenë institucionet me nivelin më të ulët të besimit në Shqipëri.
Sipas Anketimit Vjetor të Perceptimit 2026, të publikuar nga projekti WeBalkans, 77 për qind e shqiptarëve deklarojnë se nuk kanë besim te partitë politike, ndërsa vetëm 21.9 për qind shprehen se kanë besim tek ato.
Të dhënat pasqyrojnë një hendek të thellë mes qytetarëve dhe klasës politike, në një periudhë kur debati publik dominohet nga çështje që lidhen me korrupsionin, qeverisjen dhe funksionimin e institucioneve.
Po i njëjti anketim tregon se korrupsioni vazhdon të perceptohet si problemi më i madh me të cilin përballet Shqipëria. Plot 52.1 për qind e të anketuarve e rendisin atë si shqetësimin kryesor kombëtar, duke e vendosur përpara pagave dhe pensioneve të ulëta, të cilat përmenden nga 44.5 për qind e qytetarëve.
Në vendin e tretë renditet kostoja e jetesës dhe inflacioni me 38.4 për qind, ndërsa më pas vijnë shëndetësia me 28.9 për qind, varfëria me 26.9 për qind dhe papunësia me 24.9 për qind. Emigracioni mbetet gjithashtu një shqetësim i rëndësishëm për 23.2 për qind të shqiptarëve.
Rezultatet sugjerojnë se mosbesimi ndaj partive politike lidhet ngushtë me perceptimin e qytetarëve për mënyrën se si adresohen problemet kryesore të vendit. Ndërsa korrupsioni vazhdon të kryesojë listën e shqetësimeve, institucionet politike rezultojnë të jenë ato që gëzojnë më pak besim nga publiku.
Anketimi është realizuar nga projekti WeBalkans në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Turqi.
Punimet në terren janë zhvilluar gjatë periudhës shkurt-prill 2026, përmes intervistave ballë për ballë me kampione përfaqësuese të popullsisë. Në Shqipëri, sondazhi është bazuar në 1 mijë intervista me qytetarë në të gjithë vendin.



