Një kliente mbërriti në dyqanin Zanusi në zonën e ish-Doganës dhe bleu një frigorifer banak. Gruaja u kthye sërish në dyqan, për shkak se frigoriferi nuk punonte. Ajo iu kërkoi pronarëve paratë mbrapsht. Por në vend që të gjente mirëkuptimin e tyre, Edjola Harunaj 41 vjeç dhe Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç e mbajtën peng për më shumë se dy orë në ambjentet e dyqanit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj”, njoftoi policia.
Në momentin që policia ndërhyri për të arrestuar dy të dyshuarit, Harunaj ka djegur me cigare në duar një punonjës policie duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Edhe Ahmetaj ka kundërshtuar forcat e policisë.



