-1000-0-307e9ffe-9553-4720-9bb6-37aa2d927896-6a4e054e3c2b9

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe i dorëzoi gjykatës dosjen penale me 15 anëtarët e një grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.

Listën e të pandehurve e kryeson Artur Hoxhosmani, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për trafikim kokaine, grup kriminal e deri te futja e sendeve të paligjshme në paraburgim, pasi gjatë qëndrimit në qeli iu gjet dhe sekuestrua një celular.

Gjithashtu, nën akuzë janë vënë edhe emra të tjerë të njohur të botës së krimit, si Devid Patrut, Ermir Ndreaj, i njohur me nofkën Cinco, që Belgjika e konsideronte si bos të kokainës, si dhe Erion Alibej, i njohur si Krymi, të cilët akuzohen së bashku në rolin e drejtuesit.

Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Amar Shkëmbi akuzohen se kanë pasur rolin e pjesëmarrësit.

“Nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyECC. Të pandehurit, në bashkëpunim mes tyre, me persona të dënuar nga autoritetet e huaja, me persona të proceduar nga autoritetet shqiptare apo persona ende të paidentifikuar, kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazil, Ekuador e Kolumbi) dhe Spanja e Maroku për në vendet evropiane (Itali, Belgjikë, Spanjë, Holandë etj.), si dhe kanë tregtuar dhe ofruar për shitje në këto shtete evropiane, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, sasi të konsiderueshme prej 8.126 kg lëndë narkotike”, theksoi SPAK.

Konkretisht, grupi ka trafikuar 7.261 kg kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

SPAK thotë se, në përfundim të hetimeve, është konkluduar se të pandehurit Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme që lidhet me narkotikët, ndërsa të pandehurit Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani kanë pasur rolin e pjesëmarrësve.

Rezulton po ashtu se i hetuari Devid Patrut është dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë, ndaj ai s’mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër penale. Për të hetuarit Ilir Lloshi dhe Julian Pjetri u konkludua se fakti penal i atribuuar nuk ekzistonte ose nuk u arrit të provohej kryerja e veprave penale.

Lidhur me këtë çështje është veçuar një fraksion dhe po vijojnë hetimet.

Të pandehur:

Artur Hoxhosmani

 

Genti alias Kili alias Ekil Nderjaku

 

Nazmi Shahini alias Drazhi

 

Devid Patrut alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj

 

Ermir Ndreaj

 

Erion Alibej alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri

 

Klevis Hoxhosmani

 

Ramazan Rraja

 

Plaurent Dervishaj

 

Amar alias Dritan Shkëmbi dhe Amer alias Ilir Lloshi

 

Julian Meçaj

 

Bledar Polovina

 

Bashkim Haxhija

 

Endrit Sinani

/vna.al