Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe pesë të pandehur të tjerë, të akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me një procedurë me vlerë rreth 68 milionë lekë, e zhvilluar në kohën kur Beci drejtonte KESH-in.
Gjykimi i shkurtuar u pranua për Benet Becin, Adela Rukon, Edlira Mitrushin, Jonid Kazanin, Yllka Nishkun dhe Rudin Gjonin. Ndërkohë, çështja ndaj të pandehurit Premtim Dauti u veçua dhe ai do të gjykohet me procedurë të zakonshme.
Seanca e radhës është caktuar më 14 shtator, kur prokurori i SPAK-ut, Dritan Prençi, pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit që do të gjykohen me procedurë të shkurtuar.
Gjatë seancës, përveç Benet Becit, të pandehurit e tjerë dhe mbrojtësit e tyre kërkuan pushimin e çështjes, duke pretenduar se ajo duhet të përfshihet në ligjin për amnistinë, i cili, sipas tyre, parashikon përjashtimin e procedimeve penale për veprat e kryera deri më 31 maj 2026, kur dënimi i parashikuar nuk i kalon tre vjet burg.
SPAK deklaroi se do të paraqesë qëndrimin e tij me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa trupi gjykues bëri të ditur se do të shprehet për këtë kërkesë në vendimin përfundimtar.



