Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me përplasjen e dhunshme të ndodhur në burgun e Fierit, ku dy të dënuar mbetën të plagosur pas një konflikti me thikë.
Bëhet me dije ngjarja nisi gjatë një takimi mes të dënuarve dhe dyshohet se gjithçka u përshkallëzua pas një telefonate dhe një përplasjeje verbale.
Julian Zotaj dhe Aldo Gjini dyshohet se i janë afruar Denis Brajoviçit, duke e ftuar për të pirë një kafe. Gjatë qëndrimit së bashku, Zotaj ka përdorur telefonin celular për të kryer një telefonatë.
Siç raporton Top Channel, gjatë komunikimit, në telefon i është shfaqur Brajoviçit një personazh i botës së krimit, i cili aktualisht është në kërkim nga policia. Bëhet me dije se gjatë bisedës ka pasur fyerje dhe kërcënime verbale.
Ishte Julian Zotaj që ka nxjerrë një thikë të improvizuar dhe ka tentuar të sulmojë Brajoviçin, i cili ka mundur t’ia marrë thikën Zotajt dhe, në vijim të konfliktit, e ka plagosur atë në zonën e qafës, ndërsa vetë ka marrë një dëmtim në dorë.
Të dy të plagosurit janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacionit të deritanishëm, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas dëshmisë dhënë nga Brajoviç, ai nuk la asnjë konflikt me personat që u përlesh dhe se e kishte pranuar vizitën për kafe në sektor, mbasi njihte dhe kishte shok, pra garant, Aldo Gjinin.
Sipas gazetares, Anila Hoxha, Aldo Gjini, pas kësaj ngjarje, është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, kurse Jurgen Zotaj është dërguar nga spitali i Fierit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Ndërsa në burgun e Fierit është mbajtur vetëm Denis Brajovic ose Bajri.
Nga ana tjetër Policia e Fierit, së bashku me Prokurorinë lokale, po kryejnë hetime për të faktuar shkaqet e përleshjes mes dy të burgosurve që rezultoi në plagosje.
Mësohet se 6 efektivët e policisë së Burgjeve janë marrë në pyetje, teksa pritet që të ketë edhe një pezullim të 4 prej tyre.



