Screenshot_3-2

Banorët e disa fshatrave të zonës naftëmbajtëse kanë protestuar sërish para ambienteve të “Bankers Petroleum”, duke kërkuar pagesën e qirave të prapambetura për tokat e tyre.

Protesta është zhvilluar nga banorë të Belinës, Marinëzës, Kallmit, Sheqishtës dhe Zharrëzës, të cilët pretendojnë se detyrimet për qiratë nuk janë shlyer që prej muajit mars.

Situata është tensionuar gjatë protestës, pasi disa përfaqësues të banorëve janë lejuar të hyjnë në ambientet e kompanisë për të paraqitur kërkesat e tyre, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar në hyrje nga policia.

Banorët kanë kërkuar që të futen edhe ata brenda, duke sjellë debate dhe përplasje me forcat e policisë.

Protestuesit kërkojnë respektimin e kontratave dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura, ndërsa kundërshtojnë edhe uljen e çmimit të qirasë për tokat që përdoren nga kompania.

Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës nëse nuk marrin një zgjidhje konkrete dhe pagesën e detyrimeve që, sipas tyre, u takojnë prej muajsh.