Ekzaminimi mjekoligjor, pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e tjera të mbledhura nga autoritetet, ka hedhur dritë mbi sekondat e fundit të jetës së 45-vjeçares shqiptare Julieta Obzova në Greqi dhe mënyrën se si partneri i saj 48-vjeçari Altin Allmuça, e vrau atë.
Sipas informacioneve, 48-vjeçari kishte pritur 45-vjeçaren jashtë pallatit ku ajo banonte. Në momentin që gruaja hapi derën e hyrjes, ai hyri së bashku me të në ambientet e ndërtesës.
Ajo që ndodhi më pas u zhvillua brenda vetëm pak sekondash. Sipas mediave greke, brenda rreth tre deri në pesë sekondash, 48-vjeçari Altin Allmuça dyshohet se e goditi 45-vjeçaren me një ose dy shkelma, duke bërë që ajo të rrëzohej dhe të mbetej e gjunjëzuar në tokë. Më pas, ai drejtoi armën në drejtim të saj.
Menjëherë pas kësaj, sipas informacioneve, autori e tërhoqi me duar rreth një metër më tej dhe e qëlloi sërish në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas vrasjes së 45-vjeçares, 48-vjeçari drejtoi revolverin nga vetja dhe u vetëvra. Sipas informacioneve, arma e përdorur prej tij mbahej në mënyrë të paligjshme.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit po mbështetet te pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat kanë regjistruar lëvizjet e 48-vjeçarit përpara krimit.
Nga pamjet rezulton se burri kishte mbërritur më herët në zonë dhe kishte pritur 45-vjeçaren jashtë pallatit ku ajo banonte.
Paralelisht, efektivët po analizojnë pajisjet elektronike të 48-vjeçarit, duke kërkuar komunikime dhe të dhëna të tjera që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien e tij me viktimën dhe ngjarjet që i paraprinë vrasjes.
“U ndava prej tij sepse ishte xheloz”
Sipas informacioneve, 45-vjeçarja i kishte treguar motrës së saj për marrëdhënien që kishte me një burrë, duke i thënë se kishte vendosur të ndahej prej tij për shkak të xhelozisë së tij.
Ajo dyshohet se i kishte rrëfyer gjithashtu se burri vazhdonte të insistonte dhe se ajo kishte frikë prej tij. Në mbrëmjen e vrasjes, gruaja ndodhej e vetme në shtëpi. Vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte shkuar në Agrinio së bashku me xhaxhain e saj.
Ndërkohë, autoritetet kanë mbledhur të dhëna edhe për lëvizjet e 48-vjeçarit përpara se të shkonte në Nea Smyrni.
Para se të largohej nga shtëpia, ai i la bashkëshortes së tij 1 mijë euro dhe i tha: “Mbaji, të kesh para.” Bashkëshortja e tij u ka deklaruar autoriteteve se gjatë rreth 18 muajve të fundit kishte vënë re një ndryshim në sjelljen e tij.
Sipas dëshmisë së saj, 48-vjeçari mungonte shpesh në shtëpi dhe disa netë flinte diku tjetër, ndërsa ajo nuk e dinte se ku ndodhej apo nëse kishte një lidhje me një grua tjetër. Ajo dyshohet se u ka thënë gjithashtu policëve se kishte frikë prej tij.



