Ratko Mladiç, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Srpska në ish Jugosllavi, ka ndërruar jetë sot në moshën 83-vjeçare në një burg në Hagë, njoftuan mediat serbe.
Mladiç kishte qenë i sëmurë për vite me radhë, ndërsa familja e tij dhe autoritetet e Serbisë dhe të entitetit boshnjak të RS kanë kërkuar vazhdimisht transferimin e tij në Beograd për trajtim, por kërkesat u refuzuan.
Dënimi për krime lufte
Me origjinë nga Kalinoviku, Mladiç u dënua përfundimisht në qershor 2021 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të popullsisë civile, shfarosje dhe vrasje, deportim, akte çnjerëzore, terrorizëm dhe sulme të paligjshme në Sarajevë, si dhe marrjen peng të ushtarëve të OKB-së.
Ai u shpall fajtor për 10 nga 11 akuzat e aktakuzës.
Në opinionin ndërkombëtar, për shkak të krimeve të tij, Mladiç u njoh si “kasapi i Bosnjës”, përgjegjës për vdekjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.
Arratisja dhe arrestimi
Pas luftës, Mladiç u fsheh për 15 vjet, duke shmangur drejtësinë. Ai u arrestua më 26 maj 2011 në fshatin Lazarevo, pranë Zrenjaninit, nga Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Shërbimi për Zbulimin e Krimeve të Luftës.
Arrestimi i tij u bë pas presionit ndërkombëtar, ndërsa Serbia ofroi shpërblime monetare për informacione që do të çonin në kapjen e tij.
Megjithatë, shumë besojnë se ai jetoi i lirë për vite me radhë nën mbrojtjen e individëve nga institucionet serbe.
Dyshimet u shtuan pas vrasjes së dy rojeve të Gardës së Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 2004, ngjarje që lidhej me praninë e Mladiçit në kazermat e Beogradit.
Trashëgimia e krimeve
Mizoritë e kryera nën komandën e tij, përfshirë rrethimin 1,425-ditor të Sarajevës ku u vranë mbi 12,000 persona, mbeten një plagë e hapur në historinë e Ballkanit.
Pavarësisht provave të shumta, Mladiç vazhdon të shihet si hero nga një pjesë e shoqërisë në Serbi dhe në entitetin e RS në Bosnjë.
Vdekja e tij në Hagë mbyll një kapitull të gjatë të drejtësisë ndërkombëtare, por kujtimi i krimeve të urdhëruara prej tij mbetet i gjallë si dëshmi e gjenocidit dhe terrorit të ushtruar ndaj civilëve.



