-640-0-screenshot-2026-08-27-190616-1787850435

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia që goditi familjen shqiptare Manati në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë humbën jetën pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët mëngjesin e 26 gushtit.

Mediat amerikane raportojnë se viktimat janë dy binjakë 11-vjeçarë dhe një fëmijë vetëm 2 vjeç. Prindërit dhe dy fëmijë të tjerë të familjes, 2 muajsh dhe 9 vjeç, i mbijetuan zjarrit, por janë shtruar në spital në gjendje kritike.

Familja Manati është me origjinë nga Lushnja, ndërsa pas tragjedisë të afërmit dhe komuniteti janë mobilizuar për t’i ardhur në ndihmë familjes që, brenda pak minutash, humbi tre fëmijët, shtëpinë dhe gjithçka kishte brenda saj.

Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën Mandarin të Jacksonville. Alarmi u dha rreth orës 05:13, ndërsa zjarrfikësit mbërritën vetëm katër minuta më vonë.

Ekipet gjetën flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë. Sipas autoriteteve, dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së zjarrfikësve. Një dëshmitar ka treguar se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë dhe u pritën poshtë nga persona që ndodheshin aty.

Por brenda shtëpisë kishin mbetur tre fëmijë. Gjatë kërkimeve, zjarrfikësit i gjetën pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.

Zjarri shkatërroi shtëpinë e familjes dhe dëmtoi edhe dy banesa të tjera. Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar edhe banorët e tjerë të zhvendosur pas ngjarjes.

GoFundMe për familjen Manati

Pas tragjedisë, Alessia Firi, e afërme e familjes, hapi një fushatë GoFundMe me titullin “Help the Manati Family”, për të përballuar kostot e jashtëzakonshme me të cilat familja po përballet.

“Shpresa është që të lehtësojmë qoftë edhe një pjesë të kësaj barre, në mënyrë që familja të mund të përqendrohet te shërimi, zia dhe të qenët së bashku”, thuhet në thirrjen për ndihmë.

Solidariteti ka qenë i menjëhershëm. Mbi 128 mijë dollarë janë mbledhur nga më shumë se 900 donatorë, ndërsa objektivi i vendosur në GoFundMe është 110 mijë dollarë.