Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kapja e një sasie kokaine në Portin e Durrësit, prej më shumë se 41 kilogramësh, gjatë ditës së djeshme, ndërsa për ngjarjen nuk ka asnjë person të arrestuar.
Kontejneri ku u gjet sasia e lëndës narkotike, ishte i ngarkuar me mish pule që ishte nisur nga Brazili drejt vendit tonë, porositur nga kompania AMG Food, në pronësi të Mondi Goxhajt.
Sipas Policisë së Durrësit, kokaina e kapur, në rast se do të shitej në treg, do të kapte një vlerë rreth 2 milionë euro. Droga ishte e ndarë në 37 pako, ndërkohë që kontejneri ishte nisur 62 ditë më parë nga Brazili.
Dokumentacioni i ngarkesës e paraqiste atë si një kontejner me mish pule të ngrirë.
Pikërisht gjatë kontrollit në Portin e Durrësit, nga një Task Forcë e ngritur posaçërisht për kapjen e lëndëve narkotike, policia konstatoi se në kapakët e jashtëm të kontejnerit ishin fshehur 37 paketime me lëndë narkotike.
Kjo ka ngritur një nga pyetjet kryesore të hetimit: ku është futur droga dhe në cilën pikë të udhëtimit është ndërhyrë në kontejner?
Një tjetër pikë që pritet të sqarohet është nëse droga ishte vendosur në Brazil apo gjatë një prej ndalesave transitore dhe kush ishte personi ose grupi që do ta merrte ngarkesën në Shqipëri.
Hetimi duhet të përcaktojë nëse droga është futur në kontejner pa dijeninë e importuesit apo nëse pas ngarkesës fshihet një skemë më e organizuar.
Rrugëtimi i kontejnerit
Rrugëtimi nisi në Itajaí, ku kontenieri doli bosh nga depoja e Maersk, Seara Hub Itajaí, më 14 korrik 2026. Më 29 korrik, ai hyri në terminalin JBS Terminais Itajaí, ndërsa më 5 gusht u ngarkua në anijen MAERSK LOTA / 632N.
Anija u nis nga Itajaí më 5 gusht në orën 15:20, duke nisur kështu pjesën kryesore të udhëtimit ndërkontinental. Pas afro 20 ditësh lundrim, MAERSK LOTA mbërriti në Port Tanger Med, Marok, më 24 gusht në orën 20:58.
Në Tanger Med, kontenieri u shkarkua dhe qëndroi në port për rreth 8 ditë, përpara se të ngarkohej në anijen LUNA MAERSK / 633E më 1 shtator. Kjo anije u nis më 2 shtator në orën 04:48, me destinacion Mesdheun Lindor.
Më 7 shtator, kontenieri mbërriti në Pire, Greqi, ku u shkarkua nga LUNA MAERSK. Pas rreth një dite e gjysmë, më 8 shtator, u ngarkua në anijen ushqyese (feeder) K OCEAN / 637N, e cila u nis nga Pireu më 9 shtator në orën 00:13.
Destinacioni final ishte Durrësi. Feeder-i K OCEAN mbërriti në portin e Durrësit më 12 shtator në orën 17:43. Kontenieri u shkarkua më 13 shtator në orën 11:49, ndërsa më 13 shtator në orën 23:00 doli nga terminali. Më 14 shtator, në orën 12:35, u regjistrua hyrja përfundimtare në terminalin e Durrësit.
Nga nisja e anijes së parë nga Itajaí, më 5 gusht në 15:20, deri në mbërritjen e KOCEAN në Durrës më 12 shtator në 17:43, kanë kaluar rreth 38 ditë e 2 orë nga nisja e parë detare deri në mbërritjen në portin shqiptar.
Por kontenieri nuk ka qenë vazhdimisht në det. Gjatë rrugës ka pasur qëndrime dhe operacione në portet e Tanger Med dhe Pireut, ku është shkarkuar dhe ringarkuar në anije të tjera.
Në total, nga dalja nga depoja në Itajaí më 14 korrik deri në hyrjen në terminalin e Durrësit më 14 shtator, udhëtimi i këtij kontenieri zgjati rreth 62 ditë.
Si u lejuan 13.5 ton mish të kontaminuar të Dimal të përfundonin në tryezën e shqiptarëve:
Emri i AMG Food ishte bërë i njohur më herët për një tjetër çështje të rëndë.
Më 11 mars 2025, kompania importoi nga Brazili një ngarkesë me mish pule. Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet dhe mediave, në analizat laboratorike u konstatua prania e bakterit Salmonella Typhimurium.
Sasia e referuar zyrtarisht në atë periudhë ishte rreth 7.9-8 tonë, ndërsa burime mediatike raportuan se ngarkesa totale e filetos së pulës mund të arrinte deri në 18.3 tonë.
Mishi kishte mbërritur në Portin e Durrësit më 11 mars.
AKU kishte marrë mostra për analiza dhe laboratori i ISUV nxori përgjigjen më 21 mars, duke konstatuar salmonelën.
Sipas kompanisë AMG Food, produkti ishte shitur te 154 klientë, ndërsa u siguruan faturat e shitjeve për të mundësuar gjurmimin dhe tërheqjen e tij.
AKU raportoi se rreth 4.5 tonë ishin tërhequr nga tregu, ndërsa pjesa tjetër po kërkohej në pika të ndryshme të vendit./Shekulli



