UNAZA-FOTO
Përplasjet politike brenda mazhorancës duket se kanë gjetur një tjetër terren, këtë herë në dosjen e SPAK për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Në qendër të vëmendjes është vendosur një fotografi e vitit 2021, e gjetur në telefonin e bashkëshortit të një pastrueseje, e cila është përdorur për të ngritur dyshime mbi praninë e shumave të mëdha të parave në një vilë në Dhërmi.

Koha dhe mënyra e publikimit të këtij materiali ngrenë pikëpyetje mbi mundësinë e përdorimit të copëzave nga dosja hetimore në përplasjet e brendshme politike, veçanërisht në raport me Erion Veliajn, i cili ndodhet në burgun e Fierit, pas prishjes së marrëdhënieve me Edi Ramën.

Në këtë kontekst, fotografia me tufa eurosh rrezikon të kthehet nga një element që duhet verifikuar nga hetuesit në një litar shpëtimi politik për një figurë që ka humbur pushtetin dhe mbështetjen e dikurshme.

Por çfarë tregojnë të dhënat dhe dëshmitë e personave të përfshirë?

Fotografia është gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të një pastrueseje që punonte në gjashtë vila të familjeve të ndryshme në kompleksin luksoz White Rocks në Dhërmi.

Sipas dëshmisë së saj, një prej banesave që pastronte një herë në javë ishte vila në pronësi të Igli Tares, e cila frekuentohej herë pas here gjatë pushimeve verore edhe nga Belinda Balluku.

Fotografia daton më 17 korrik 2021 dhe paraqet një kuti me tufa kartëmonedhash 50-euroshe. SPAK e përshkruan ambientin si në dukje të ngjashëm me atë të vilës F6 në White Rocks, por kjo nuk përcakton në vetvete pronësinë apo origjinën e parave.

Ajo që meriton vëmendje të veçantë janë dëshmitë e dy bashkëshortëve, të marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.

Gjatë marrjes në pyetje, pastruesja ka deklaruar se nuk kishte parë asnjëherë shuma parash në banesën e frekuentuar nga Belinda Balluku dhe, për rrjedhojë, nuk kishte realizuar fotografi të tilla në këtë ambient.

Edhe bashkëshorti i saj, Lavdrim Smone, në telefonin e të cilit është gjetur fotografia, sipas informacionit të përcjellë nga dëshmitë, ka mohuar të ketë parë para që lidheshin me ish-zëvendëskryeministren.

Pra, kemi një fotografi që ka marrë vëmendje të konsiderueshme mediatike, ndërkohë që dëshmitë e dy personave të përfshirë nuk konfirmojnë lidhjen e parave me Ballukun.

Pikërisht këtu lind pyetja: Përse një fotografi e shkëputur nga konteksti merr kaq shumë hapësirë, ndërsa deklarimet që mund të sqarojnë rrethanat e saj nuk trajtohen me të njëjtën rëndësi?

Dhe mbi të gjitha, kujt i shërben politikisht një publikim i tillë në një moment kur raportet mes Edi Ramës, Erion Veliajt dhe ish-zëvendëskryeministres janë pjesë e një përplasjeje më të gjerë për pushtet dhe ndikim?

Në këtë sfond, lind dyshimi nëse materiale të veçuara nga dosja e SPAK po përdoren edhe për të ushqyer një betejë politike kundër Ballukut, në një kohë kur Veliaj po përpiqet të ruajë ndikimin e mbetur pas izolimit të tij në Fier.

Nuk është e vështirë të kuptohet se sa e vlefshme mund të jetë politikisht një fotografi e tillë për kundërshtarët e Ballukut. Por interesi politik për një publikim dhe vërtetësia e interpretimit të tij janë dy çështje krejt të ndryshme.

Kjo ngre edhe shqetësimin për instrumentalizimin e dosjeve hetimore përmes publikimeve selektive, ku një element merr vëmendje maksimale, ndërsa rrethanat dhe dëshmitë që mund ta vendosin në kontekst mbeten në plan të dytë.

Një fotografi me para nuk mund të zëvendësojë hetimin për origjinën e tyre, vendin ku janë fotografuar dhe personat të cilëve u përkasin.

Po kështu, publikimi i saj nuk duhet të shndërrohet automatikisht në një mjet për të goditur politikisht një person, pa u sqaruar më parë të gjitha rrethanat.

Hetimi është detyrë e SPAK, ndërsa verifikimi i plotë i fakteve është detyrë e medias.

Në fund, pyetja mbetet nëse kjo fotografi po përdoret thjesht për të informuar publikun mbi një hetim të rëndësishëm, apo po kthehet edhe në një instrument të luftës politike brenda mazhorancës.

Sepse për një politikan që ka humbur pushtetin, edhe një fotografi e shkëputur nga një dosje hetimore mund të duket si një litar shpëtimi. Por e vërteta nuk përcaktohet nga interesi i atij që e publikon, as nga numri i lajmeve që prodhohen. Ajo përcaktohet nga faktet që arrijnë të provohen. /gazetajone