Alban dhe Olsi Eftimi, drejtuesit e studios së njohur të arkitekturës “Atelier 4”, janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, ku po merren në pyetje në kuadër të hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Studioja e preferuar e qeverisë, e përfshirë ndër vite në disa prej projekteve më të promovuara nga kryeministri Edi Rama, del tashmë edhe në dosjen e vilës luksoze nr. 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë.
Prona është sekuestruar nga SPAK, pasi hetuesit dyshojnë se zotërohej faktikisht nga Balluku dhe se ishte përfituar në formën e ryshfetit.
Në qendër të hetimit janë komunikimet elektronike mes Alban Eftimit dhe ish-zëvendëskryeministres. Në një email të shtatorit 2020, arkitekti i dërgonte Ballukut rishikimin e projektit dhe i përshkruante në hollësi arredimin e pronës, që nga pishina “infinity” dhe vaskat me hidromasazh, deri te përdorimi i drurit “teak” dhe mermerit.
Një tjetër email përmbante planimetritë dhe projektet e dy vilave, duke treguar përfshirjen e drejtpërdrejtë të studios në konceptimin dhe realizimin e pronave në “Green Coast”.
Sipas SPAK, vila ishte financuar deri në fazën e karabinasë nga ish-futbollisti Igli Tare, ndërsa punimet e mëtejshme dhe ndërtimi i pishinës dyshohet se u paguan nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko Impex General Construction”.
Në materialet e sekuestruara në kompjuterët e “Atelier 4” rezultojnë, sipas raportimeve mbi dosjen, pagesa të kompanisë së Abazit në vlera që variojnë nga 288 mijë deri në 410 mijë euro.
“Alko Impex General Construction” kishte përfituar kontrata publike në infrastrukturë, ndërsa SPAK po heton nëse financimi i punimeve të vilës lidhej me favorizime të dyshuara në tendera.
Hetuesit kishin ushtruar më herët kontrolle në ambientet e “Atelier 4”, ku sekuestruan dokumente dhe materiale elektronike. Alban Eftimi ishte paraqitur edhe më 3 shtator në SPAK për të dhënë deklarime rreth dosjes.
Thirrja këtë herë e të dy vëllezërve Eftimi synon të sqarojë rolin e studios në projektimin e vilave, por edhe se kush i porositi dhe pagoi realisht punimet luksoze. Hetimi ndaj Ballukut përfshin dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Të gjitha pretendimet mbeten dyshime të organit të akuzës dhe nuk përbëjnë përfundime të formës së prerë. /gazetajone



