Hetimi i SPAK ndaj drejtueses së pezulluar të SHISH, Vlora Hyseni, është mbështetur në qindra mesazhe, telefonata, materiale të klasifikuara, fotografi dhe video të sekuestruara në kuadër të dosjes së biznesmenit Ergys Agasi.
Hyseni ndodhet në “arrest shtëpie” dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa hetohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”.
Pesë ditë përpara caktimit të masës së sigurisë, Hyseni është marrë në pyetje nga SPAK. Ajo ka pranuar se ka komunikuar me Agasin, por ka pretenduar se ai ishte “bashkëpunëtor i shërbimit”, duke argumentuar se SHISH punon vazhdimisht me bashkëpunëtorë.
Hyseni ka mohuar se është takuar fizikisht me Agasin apo se e ka ndihmuar në mënyrën që dyshon Prokuroria. Por të dhënat e administruara nga telefoni i biznesmenit paraqesin një marrëdhënie intensive dhe të vazhdueshme.
Nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026 rezultojnë 508 forma komunikimi përmes aplikacionit “Signal”, përfshirë mesazhe, telefonata audio dhe video, thirrje të humbura dhe telefonata të realizuara.
Komunikimet kanë vijuar edhe gjatë periudhës kur Agasi ndodhej në kërkim. Sipas SPAK, në këtë raport biznesmeni nuk shfaqej thjesht si bashkëpunëtor që i jepte informacion SHISH-it, por si person që merrte dhe diktonte informacion.
Mesazhet e zbardhura tregojnë gjithashtu një gjuhë të afërt personale. Në një prej komunikimeve, Hyseni i shkruante Agasit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”.
Në një tjetër mesazh ajo shprehej: “Do përfundojmë keq, shpirt”, ndërsa në komunikimet e datës 22 gusht, kur Agasi ndodhej ende në arrati, shkruante: “Sa shumë gjëra na kanë bërë ne… Të gjitha shpirt… O shpirt, kjo është një situatë që do ia hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi…”.
Përdorimi i vazhdueshëm i shprehjeve “zemër” dhe “shpirt”, si edhe përqendrimi te problemet e Agasit, kanë ngritur dyshime për një marrëdhënie përtej raportit institucional të pretenduar nga Hyseni. Megjithatë, natyra e kësaj marrëdhënieje mbetet objekt hetimi.
Nga komunikimet rezulton se drejtuesja e SHISH-it i përcillte Agasit edhe informacione paraprake për zhvillime politike dhe emra të rëndësishëm të mazhorancës.
Në një prej mesazheve, ajo i shkruante: “Taulant Balla kryetar Kuvendi… Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, duke iu referuar Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut.
Hyseni e informonte Agasin edhe për takimet e saj në Kryeministri. “Po më presin me shku te KM… Jo mo zemër, unë një orë nuk rri më shumë me atë”, thuhet në një prej komunikimeve.
Në një mesazh tjetër ajo shkruante: “Nesër duhet ta takoj KM në 8:30”, duke e vënë Agasin në dijeni paraprakisht për takimin me kryeministrin Edi Rama.
Për SPAK, këto komunikime ngrenë pikëpyetje mbi llojin e informacionit që i përcillej biznesmenit dhe arsyen pse drejtues apo struktura të tjera brenda SHISH-it nuk ishin vënë në dijeni për raportin me të.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes janë nëntë faqe dokumentesh me diagrame dhe të dhëna të klasifikuara të SHISH-it, të gjetura në automjetin e Agasit gjatë kontrolleve të zhvilluara më 22 korrik në “Equos Resort”.
Agasi ka pranuar se dokumentet i përkisnin atij, por ka deklaruar se i kishte lënë në automjet me qëllim që të gjendeshin nga hetuesit e SPAK. Prokuroria po verifikon se si dolën materialet nga SHISH-i dhe për çfarë janë përdorur.
Në telefonin dhe ambientet e kontrolluara janë sekuestruar gjithashtu fotografi dhe video. SPAK po analizon nëse këto materiale provojnë takime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit, të cilat ajo i ka mohuar.
Dyshimi kryesor është se Hyseni mund ta ketë informuar biznesmenin për lëvizjet e Policisë dhe zhvillimet që lidhen me lokalizimin e tij gjatë arratisë, duke përdorur informacionet dhe kapacitetet institucionale që kishte në dispozicion si drejtuese e SHISH-it.
Pas caktimit të masës së sigurisë, Hyseni ndodhej në Prishtinë, pas një vizite në Baku. Ajo u dorëzua te autoritetet kosovare dhe më pas iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Morinës.
Në të njëjtën dosje janë caktuar masa sigurie edhe ndaj punonjësit të Policisë Fatjon Kalluçi dhe biznesmenit Embro Sulejmani. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe në ambiente ku dyshohet se Agasi ka qëndruar gjatë arratisë.
Tashmë SPAK duhet të përcaktojë nëse Vlora Hyseni komunikonte me Ergys Agasin si me një bashkëpunëtor të zakonshëm të shërbimit, siç pretendon ajo, apo nëse drejtuesja e institucionit më të rëndësishëm informativ të vendit përdori funksionin dhe informacionet sekrete për të ndihmuar një person që kërkohej nga drejtësia. /gazetajone



