Arrestimi i drejtuesit të Shërbimit Sekret të një vendi gjatë kohës që ushtron detyrën, është një rast shumë i rrallë. Historia botërore numëron vetëm tre raste dhe, fatkeqësisht, njëri prej tyre u konsumua pak orë më parë në Shqipëri.
Për Vlora Hysenin, drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror, gjykata e posaçme caktoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”, ndërkohë që thuhet se ajo është pjesë e një aktiviteti ndërkombëtar në Baku të Azerbajxhanit.
Prokuroria e Posaçme dyshon se ajo ka kryer veprat penale të “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “nxjerrje të akteve sekrete”.

Fatmir Xhafaj, një eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste në pushtet, u mundua ta relativizojë këtë zhvillim skandaloz, duke deklaruar se “ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë, madje edhe në SHBA”.
Të dhënat historike botërore tregojnë se një ngjarje e tillë nuk ndodh kudo në botë, por edhe si histori të tilla kanë vetëm dy precedentë të mëparshëm-një në Bosnje dhe një në Ruanda.
Bosnja
Osman Mehmedagiç (Osman “Osmica”), drejtues i Agjencisë së Inteligjencës-Sigurisë së Bosnjës (OSA), u arrestua më 14 korrik 2021, ndërsa ishte në detyrë. Arrestimi u bë në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre/autoriteti, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.

Ruanda
Në Ruandë, kreu i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe Sigurisë, Karenzi Karake, u arrestua në Londër në vitin 2015, ndërsa ishte ende në detyrë. Ai u arrestua gjatë një vizite zyrtare, mbi bazën e një urdhër-arresti evropian të lëshuar në Spanjë për akuza që përfshinin krime lufte.

Arresti për Vlora Hysenin
Prokuroria e Posaçme, SPAK, në një njoftim të shpërndarë mesditën e së Martës (22 shtator 2026), tha se, pas kërkesës së saj, Gjykata ka caktuar masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për shtetasen Vlora Hyseni, me funksion drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Gjithashtu, është caktuar masë sigurimi “arrest me burg” për përgjegjësin e Institutit të Policisë Shkencore, Florian Kalluci dhe një sipërmarrës privat, Embro Sulejmani.
Masat ndaj tyre janë nxjerrë në kuadër të një hetimi të nisur më parë për atë që konsiderohet si “afera AKSHI”. /boldnews



