Salvadore Aliu i konsideruar si ‘kumbari’ i grupeve shqiptare të narkotrafikut është arrestuar në Rusi. 51-vjeçari ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit. Në dosjen e siguruar nga ZËRI, Salvadore bashkëpunonte edhe me vëllezërit Jetmir dhe Aleks Pepaj, të cilët përbënin një nga hallkat kryesore financiare të organizatës, të përfshirë në qarkullimin e shumave të mëdha të parave. Po ashtu në episode të trafikut të drogës del edhe emri i Oklid El Ouejdi, i njohur me nofkën Kiço ose Oliver dhe nip i personazhit të njohur ‘Timit të Elbasanit’.
Në 16 qershor 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për Aliun masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Asokohe mediat zbardhen detaje mbi aktivitetin e rrjetit kriminal që dyshohet se ka trafikuar 50 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, bazuar dokumenteve dhe bisedave mes anëtarëve në dosjen hetimore të SPAK, ku në çdo bisedë e episod trafikimi të kokainës dilet emri i Salvadore.
Salvadore Aliu, dyshohet see ishte furnitori kryesor me kokainë i grupeve të Eldi Dizdarit, Dritan Gjikës e Armando Pacanit, ndërsa i vëllai Isa Aliu e ndihmonte të pastronte paratë e kokainës në shtëpi. Isa Aliu, e njofton vëllain e tij, Salvatoren, për sasitë e parave të dorzuara nga persona të ndryshëm dhe mban të shënuara llogaritë e tyre. Nëna e dy vëllezërve habitej nga paratë që ndodheshin në shtëpi, ndërsa Salvatore sugjeronte: “Mbushja një dyshek me para që të flejë rehat”
Nga hetimet, SPAK njofton se është provuar, se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.
Fillimisht vëllezërit u fokusuan në biznesin e supermarketeve “Road Hause”, duke krijuar një zinxhir marketesh, por aktiviteti nuk rezultoi fitimprurës. Në një bisedë të zhvilluar në “Sky”, Shpëtim Aliu i shprehet vëllait të tij Isa: “Me marketet më humbe 3 milionë euro, futju ndërtimit”, duke lënë të kuptohet se sektori i ndërtimit shihej prej tyre si një mënyrë më e favorshme për investim.
Shpëtim Aliu diskutonte me të vëllain Isa Aliun edhe mënyrat për fshehjen e shumave të mëdha të parave. Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra. Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Isa Aliu ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.
Dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.



