-640-0-chatgpt-image-jun-24-2026-11-46-18-am-1790188643

Salvatore alias Shpëtim Aliu, Shpëtim Aliu, një nga personat kryesorë të hetuar nga SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës, është arrestuar në Rusi.

Bashkë me të është bërë i mundur dhe arrestimi i një tjetër personi, të dy të shpallur në kërkim nga SPAK.

Për Shpëtim Aliun, GJKKO kishte caktuar masën “arrest në burg” më 19 qershor 2026, në kuadër të të njëjtit hetim ku u vendosën masa sigurie edhe ndaj personave të tjerë të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Aliu, me origjinë nga Elbasani, dyshohet nga autoritetet shqiptare si figura qendrore e një rrjeti që, sipas hetimeve të SPAK, ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve të Europës gjatë viteve 2019–2021.

Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.

NJOFTIMI I POLICISË

Arrestohen në Rusi dhe në Itali, 2 pjesëtarë të rrjeteve kriminale ndërkontinentale në fushat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe lëvizjes ilegale të emigrantëve.

Si rezultat i bashkëpunimit informativ dhe operacional ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Moskës dhe Interpol Romës, gjatë këtyre 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestuan provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht:

– Salvatore Aliu, 51 vjeç, i kapur në Rusi, të cilit, në muajin qershor, 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

-Alok Mittra, 47 vjeç, i kapur në Itali, të cilin, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar me 15 vjet burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet rezultoi se 47-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal, i cili për 6 muaj në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e kundërligjshëm të kufirit, të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare. Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri, nga Dubai, dhe nënshkruanin kontrata pune fiktive për t’u pajisur me leje qëndrimi. Sapo pajiseshin me këtë dokument, ata niseshin drejt shteteve të BE-së. Gjatë itinerarit të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi Alok Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe në Romë, Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e të dy shtetasve, në Shqipëri.