Gjykata e Tiranës vendosi mesditën e kësaj të premte (2 tetor 2026) masën e sigurisë “arrest në burg” për Eraldo Fizin, i cili akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes së ish-bashkëshortes së tij, Xhuana Nikollaj.
Gjatë seancës gjyqësore, Fizi ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj 25-vjeçares, por ka pretenduar se bëhej fjalë për një rast të vetëm. Sipas dëshmisë së tij, dhuna ka ndodhur një ditë para se Xhuana Nikollaj të konsumonte fostoksinë.
“Konflikti nisi nga xhelozia”, mësohet të ketë deklaruar Fizi, duke dhënë versionin e tij për marrëdhënien me ish-bashkëshorten.
Në dëshminë e dhënë më herët në polici, Fizi ka deklaruar se e kishte dashur Xhuana Nikollajn për rreth shtatë vite. Sipas tij, çifti ishte ndarë, por gjatë kësaj periudhe kishte pasur tentativa për t’u ribashkuar.
Ngjarja që po hetohet ka ndodhur më 9 mars, kur Xhuana Nikollaj kishte takuar ish-bashkëshortin e saj. Sipas të dhënave të hetimit, mes të dyve kishte pasur një konflikt fizik.
Një ditë më pas, më 10 mars, 25-vjeçarja konsumoi fostoksinë dhe humbi jetën.
Gjatë hetimeve, në trupin e saj janë konstatuar shenja dhune në kokë, fytyrë dhe në njërin krah. Në banesë është gjetur gjithashtu një letër që e reja u kishte lënë familjarëve.
Familjarët e Xhuana Nikollajt kanë deklaruar pas ngjarjes se ajo ishte dhunuar dhe përndjekur nga ish-bashkëshorti i saj.
Eraldo Fizi ishte shpallur në kërkim prej më shumë se gjashtë muajsh. Të mërkurën ai është vetëdorëzuar në Policinë e Lezhës, së bashku me avokatin e tij. Pas kësaj, ai është transferuar drejt Tiranës, ku është përballur me masën e sigurisë.
Fizi tashmë do të qëndrojë në qeli, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e konfliktit mes çiftit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale lidhur me vdekjen e Xhuana Nikollajt.



