-900-0-1790935214x1002-0-eraldo-dhe-xhuana-6abd041b54100-481

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Eraldo Fizin, ish-bashkëshortin e Xhuana Nikollit, 25-vjeçares e cila i dha fund jetës pas dyshimeve për dhunë nga ish-partneri. Fizi u paraqit sot para gjykatës, ku u njoh me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij.

Sipas burimeve, Fizi e ka pranuar se ka ushtruar dhunë vetëm në një rast ndaj Xhuana Nikollit, një ditë para ngjarjes dhe jo sistematikisht. Ai ka rrëfyer versionin e tij se konfliktet mes tyre kishin ndodhur për shkak të xhelozisë, por sipas tij, ishin në tentativa për t’u pajtuar.

Eraldo Fizi u arrestua dy ditë më parë pas më shumë se 6 muajsh në arrati, pasi ishte shpallur në kërkim që në mars të këtij viti për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes. Mësohet se 25-vjeçari u vetëdorëzua të mërkurën, 30 shtator, në Komisariatin e Policisë Lezhë pas bashkëpunimit të autoriteteve me familjarët edhe avokatin e tij.

Autoritetet dyshojnë se ish-bashkëshorti i të ndjerës, ka ushtruar dhunë ndaj saj duke e shtyrë t’i japë fund jetës. I riu 25-vjeçar dyshohet se ishte rikthyer nga jashtë shtetit më 9 mars, dhe i ka shkuar në banesë ish-bashkëshortes, ku dyshohet se ka pasur një përplasje mes tyre. Xhuana Nikolli u vetëvra një ditë më pas, mëngjesin e 10 marsit dhe i la një letër prindërve.

Dyshja kishin kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në verën e vitit 2025, por pas tre muajsh u divorcuan pas konflikteve të vazhdueshme. Nuk dihet nëse gjatë martesës, ka pasur edhe historik të dhunës në familje. Prindërit e Xhuana Nikollit kanë bërë kallëzim në polici ndaj ish-bashkëshortit të saj, duke e akuzuar se dhuna fizike dhe psikologjike e ushtruar prej tij e shtyu vajzën drejt vetëvrasjes. Edhe gjatë ekzaminimit të trupit të pajetë të 25-vjeçares, janë konstatuar shenja të rënda dhune në pjesën e kokës, fytyrës dhe në njërin krah.

Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër. Sipas burimeve, në të ajo shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.