Kompania koncesionare që shfrytëzon minierën e kromit në Bulqizë dhe administron fabrika pasurimi në Klos, Burrel dhe Elbasan ka ndryshuar sërish drejtimin, ndërsa administrimi i saj po dominohet nga shtetas të huaj, kryesisht turq.
Zhvillimet kanë shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën se si po menaxhohet një nga pasuritë më të rëndësishme minerare të Shqipërisë, veçanërisht pasi Albchrome deklaroi për vitin 2025 një humbje prej rreth 15 milionë eurosh.
Më 15 shtator 2026, ortaku i vetëm i shoqërisë, Sabit Sagir, vendosi emërimin e Selim Sevgen si administrator të ri, me kompetenca të kufizuara.
Në të njëjtin vendim janë ndryshuar edhe kompetencat e administratorëve ekzistues, Zeyner Erbeyler dhe Teuta Ustundag, duke e çuar në tre numrin e drejtuesve të kompanisë.
Sevgen është një emër i njohur në sektorin minerar shqiptar. Ai ka drejtuar më parë kompaninë Beralb, e cila operon në vendburimet e bakrit në zonën e Fushë-Arrëzit.
Administratori i ri ka qenë gjithashtu aksioner në dy kompani të regjistruara në Shqipëri, “CTM” dhe “ALB TYRE”, të dyja me seli në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan.
“CTM”, e themeluar në tetor 2023, është çregjistruar gjatë vitit 2024. Ndërsa aktiviteti i “ALB TYRE” është pezulluar në korrik 2026, vetëm pak javë përpara emërimit të Sevgen në drejtimin e Albchrome.
Ndryshimet e shpeshta në administrim ndodhin në një periudhë kur bilancet financiare të koncesionarit tregojnë humbje të mëdha.
Sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Albchrome e mbylli vitin 2025 me humbje prej 1.436 miliardë lekësh, e cila do të mbulohet nga fitimet e akumuluara të shoqërisë.
Kompania argumenton se gjatë vitit 2025 nuk operoi me kapacitet të plotë, për shkak të paqëndrueshmërisë së çmimeve të energjisë, pasojave të luftës në Ukrainë dhe nivelit të kërkesës për produktin final.
Por problemet nuk kufizohen vetëm te rezultati negativ. Albchrome pranon se, më 31 dhjetor 2025, nuk kishte përmbushur disa kushte financiare të përcaktuara në marrëveshjen e huasë.
Për këtë arsye, pjesa e mbetur e kredisë është klasifikuar si detyrim afatshkurtër. Megjithatë, huadhënësi nuk kishte kërkuar shlyerjen e menjëhershme dhe kompania vijonte komunikimet për menaxhimin e detyrimeve.
Edhe në vitin 2024, Albchrome raportoi humbje prej rreth 720 mijë eurosh, pavarësisht vijimit të shfrytëzimit të minierës dhe aktivitetit të fabrikave të pasurimit.
Këto të dhëna ngrenë pyetje mbi kostot e kompanisë, pagesat ndaj nënkontraktorëve, nivelin e borxhit dhe mënyrën se si shpërndahen të ardhurat e krijuara nga kromi i Bulqizës.
Dyshimet janë nëse po ndërtohet një model i ngjashëm me atë të denoncuar në sektorë të tjerë koncesionarë, ku aktivitetet operacionale shpërndahen te kompani të lidhura ose nënkontraktorë, ndërsa shoqëria kryesore deklaron humbje.
Nuk ka të dhëna të provuara se një skemë e tillë është zbatuar nga Albchrome. Megjithatë, humbjet e përsëritura, problemet me huanë dhe ndryshimet e drejtuesve kërkojnë më shumë transparencë mbi menaxhimin e kompanisë dhe përfitimet që merr shteti shqiptar nga shfrytëzimi i kromit.
Pyetja që mbetet është e drejtpërdrejtë: ku përfundojnë të ardhurat e prodhuara nga nëntoka e Bulqizës dhe përse kompania që e shfrytëzon atë vijon të raportojë humbje? /gazetajone



