IMG_4344

Telefonat, kontratat dhe dokumentet e një skeme kompanish private të lidhura me shoqërinë shtetërore KAYO janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të një hetimi për tenderët në industrinë e mbrojtjes.

Në qendër të hetimit është biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet, i njohur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama dhe përfshirjen në kompanitë që bashkëpunojnë me KAYO-n.

Hetuesit e BKH-së kanë ushtruar kontroll në vilën ku ndodhej Yeffet, në periferi të Tiranës, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme.

Sipas të dhënave të deritanishme, biznesmeni ka reaguar qetësisht, ka lejuar kontrollin e banesës dhe u ka dorëzuar hetuesve telefonin e tij.

Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj personave të tjerë të lidhur me kompanitë nën hetim, përfshirë biznesmenen Arjeta Puca dhe Aleks Markun, drejtor i Licencimit dhe Autorizimeve në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ndërkohë, drejtori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, nuk është gjetur në banesën e tij. Telefoni i tij është sekuestruar në zyrën ku ushtron detyrën.

Përveç celularëve, hetuesit kanë marrë edhe kontrata dhe dokumente të tjera, pasi dyshohet se kompanitë private të lidhura me Yeffet mund të jenë favorizuar nga zyrtarë shtetërorë.

SPAK po heton për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Në fokus janë kompanitë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, të dyja të ndërtuara mbi një model ku kapitali privat zotëron 80% të aksioneve, ndërsa kompania shtetërore KAYO kontrollon 20%.

“Timak Defence” zotërohet në masën 80% nga “Timak” sh.p.k. dhe 20% nga KAYO. Në kompaninë “Timak”, Ron Yeffet zotëron 49% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga Arjeta Puca.

“Advanced Arms Technology” zotërohet në masën 80% nga “UNO 18” dhe 20% nga KAYO. “UNO 18” ndahet në mënyrë të barabartë mes Ron Yeffet dhe Arjeta Pucës, me nga 50% të aksioneve.

Kjo strukturë vendos kompaninë shtetërore si aksionere në pakicë, ndërsa kontrolli real i aktivitetit mbetet në duart e ortakëve privatë.

Emri i Yeffet është përmendur publikisht gjatë muajve të fundit në lidhje me industrinë e mbrojtjes dhe marrëdhëniet mes kompanive private dhe KAYO-s, shoqëria shtetërore e krijuar për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.

Biznesmeni është shfaqur gjithashtu pranë kryeministrit Edi Rama në aktivitete të lidhura me zhvillimin e industrisë ushtarake shqiptare.

Hetimi nisi pas publikimit nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj të disa audiopërgjimeve dhe pretendimeve për mënyrën e funksionimit të këtij sektori, përfshirë dyshimet e ngritura prej tij për trafik armësh.

Pretendimet e Ahmetajt nuk përbëjnë në vetvete prova për përgjegjësi penale, por materialet e sekuestruara pritet të tregojnë nëse kontratat dhe tenderët janë zhvilluar në përputhje me ligjin apo nëse kompanitë private kanë marrë trajtim preferencial.

Kontrollet dhe sekuestrimi i telefonave e dokumenteve janë veprime hetimore. Personat dhe kompanitë e përfshira nuk konsiderohen fajtorë pa një vendim përfundimtar të gjykatës.