surveillance-scandal-investigation-collage-6ac64087b1bae

Një hard-disk i dëmtuar, një kamerë për të cilën gratë thonë se nuk dinin asgjë dhe një seri videosh intime që përfunduan duke u shpërndarë. Hetimi për skandalin seksual që ka si protagonist kryesor kompozitorin Adi Hila ka kaluar në duart e Prokurorisë së Tiranës dhe do të drejtohet nga prokurori Julian Xhengo.

Policia e Tiranës e ka referuar rastin për akuzat e ndërhyrjes së padrejtë në jetën private dhe përdorimit të paautorizuar të pajisjeve. Por dosjes i është shtuar edhe një vepër tjetër penale: veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Pas sekuestrimit të hard-diskut në studion e Hilës, hetuesit kanë konstatuar se pajisja ishte e dëmtuar. Vetë kompozitori ka deklaruar se e kishte shkatërruar hard-diskun, pasi kishte frikë se ndërhyrja mund të vazhdonte.

Hila pretendon se kamera e vendosur në ambientet e studios së tij është hakeruar dhe për këtë ka kërkuar hetim.

Por alibia e tij për pjesën tjetër të historisë është të paktën e pazakontë. I pyetur nëse gratë që shfaqen duke kryer marrëdhënie intime me të e dinin se po filmoheshin, Hila nuk ka pretenduar se kishte marrë pëlqimin e tyre. Përkundrazi, është mjaftuar me arsyetimin se kamera ishte aq e madhe sa ato duhej ta kishin parë.

“Nuk ka qenë ndonjëherë temë bisede mes nesh. Pra nuk më kanë pyetur, por kamera në fjalë është aq e madhe sa nuk ka mundësi të mos ta kenë parë”, ka deklaruar ai.

Me fjalë të tjera, Hila nuk thotë se gratë pranuan të filmoheshin; ai supozon se ato duhet ta kenë kuptuar vetë. Pikërisht këtu alibia e tij përplaset me dëshmitë e grave të pyetura nga Policia.

Këngëtaret dhe aktoret kanë mohuar kategorikisht se kishin dijeni se po regjistroheshin. Eli Fara ka deklaruar se “nuk kishte dijeni se në atë studio ka pasur kamera të instaluara” dhe ka kërkuar të hetohen personat që regjistruan dhe shpërndanë pa autorizimin e saj videot.

Ndërkohë, aktorja Monika Lubonja ka deklaruar publikisht se ka bërë padi penale ndaj kompozitorit Hila, për të cilin thotë se e ka filmuar pa pëlqimin e saj dhe e ka cilësuar “të pabesë”.

Në deklarimet e Hilës del edhe emri i Elton Tozajt. Kompozitori pretendon se “në mënyrë të çuditshme ai ka bërë një fushatë të madhe për shpërndarjen e materialeve” dhe se nuk e di qëllimin e tij, pasi thotë se nuk ka pasur kurrë njohje apo probleme me Tozajn.

Tashmë prokurorit Julian Xhengo i mbetet të zbardhë jo vetëm se kush i nxori dhe shpërndau videot, por edhe dy elementët më të errët të historisë: a e dinin gratë se po filmoheshin dhe çfarë kishte në hard-disk përpara se Hila ta shkatërronte.