Zgjerohet hetimi ndaj kompozitorit Adrian Hila lidhur me çështjen e videove intime të publikuara ditët e fundit, ku shfaqen edhe disa artiste të njohura. Një tjetër grua që shfaqet në materialet filmike i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për ekzistencën e videove dhe se momentet intime po filmoheshin.
Sipas raportimeve, kallëzimet e artisteve ndaj kompozitorit janë referuar për veprat penale “fyerja” dhe “ndërhyrje të padrejta në jetën private”.
Adrian Hila po procedohet në gjendje të lirë. Ai ka pranuar para autoriteteve se kamera e sigurisë në ambientet e studios ishte vendosur prej tij, por ka deklaruar se qëllimi nuk ka qenë filmimi i momenteve intime.
Ndërkohë, hetuesit kanë zgjeruar verifikimet edhe për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Shkak është bërë dëmtimi i një hard-disku të sekuestruar si provë materiale.
Sipas raportimeve, vetë Hila ka deklaruar se e kishte dëmtuar hard-diskun, duke argumentuar se nuk ishte i sigurt nga vinte ndërhyrja në sistem dhe se kishte frikë se persona të tjerë mund të ndërhynin sërish në distancë për të marrë të dhëna.
Në Prokurori janë referuar materiale edhe për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën se si materialet intime janë siguruar dhe më pas janë bërë publike, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për shpërndarjen e tyre.



