jhmjhjjm-6ad1c1ec4c3c5

Kryeministri Edi Rama është zgjuar sërish herët këtë mëngjes, për t’u rikthyer pikërisht në vendin ku ishte edhe dje. Me të njëjtën veshje, pranë një kioske të djegur vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama ka zgjedhur të flasë sërish për protestën e studentëve dhe gjimnazistëve, e cila duket se ia ka prishur jo pak rutinën e zakonshme të daljeve publike dhe aktivitetit në rrjetet sociale gjatë 24 orëve të fundit.

Këtë herë, me një ton disi më të zbutur, por me të njëjtin mesazh, kryeministri përsëriti akuzat e një dite më parë. Sipas tij, protestat nuk janë shprehje e pakënaqësisë së të rinjve, por pas tyre qëndron një dorë tjetër, të cilën ai e lidh me opozitën dhe përpjekjet për të destabilizuar vendin.

“E gjithë kjo flamë s’është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska, s’ka të bëjë fare me hallet dhe problemet, aspiratat legjitime të gjithëkujt që do një jetë më të mirë”, deklaroi Rama.

Në vend të një përgjigjeje konkrete për shqetësimet që kanë nxjerrë të rinjtë në rrugë, kryeministri zgjodhi ta lidhë protestën edhe me rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke ngritur dyshime se trazirat nuk janë rastësi.

“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sa më shumë afrohet drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka?! Nuk është aspak rastësi e gjithë kjo që po ndodh”, tha ai.

Në fund, nga e njëjta skenë dhe me të njëjtën veshje, Rama pati edhe një mesazh për qytetarët, “motra dhe vëllezër durim, durim, se edhe kjo do kalojë”.

Pra, përballë një proteste që nuk po shuhet, kryeministri ka zgjedhur të presë që ajo të kalojë.