emiljano dusha ron yeffet

Raportimet për përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestës së sotme në Tiranë kërkojnë përgjigje edhe për furnizimin e Policisë. Një 17-vjeçar deklaroi për News24 se ishte goditur në qafë, ndërsa protestues të tjerë treguan para kamerave shenja goditjesh në trup.

I pyetur për këto municione, drejtori i Policisë, Skënder Hita, u përgjigj se efektivët përdorin mjete të lejuara dhe pajisje të certifikuara, në mënyrë të kufizuar. Por publiku ka nevojë të dijë edhe çfarë është blerë, nga kush dhe me cilën kontratë.

Emiljano Dusha dhe Ron Yeffet janë dy emra që dalin në kompanitë furnizuese të strukturave të sigurisë, me kontrata dhe partneritete shtetërore në sektorin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe automjeteve speciale.

Dusha zotëron MSSC Group, kompani me kontrata të drejtpërdrejta me Policinë. Vetëm më 16 korrik 2025, Policia nënshkroi me MSSC-në një kontratë prej 62.2 milionë lekësh me TVSH për pajisje policore. Në shtator 2026, Thesari regjistron edhe një pagesë prej 192.36 milionë lekësh për pajisje speciale për Policinë e Rendit.

Yeffet është bashkëpronar i TIMAK-ut, që zotëron 80% të TIMAK Defence, ndërsa pjesën tjetër e ka KAYO shtetërore. Për këtë kompani figuron një pagesë prej 11.18 milionë lekësh, më 26 maj 2026, për automjete speciale policore.

Këto furnizime nuk identifikojnë se kush ka dorëzuar municionin e përdorur sot. Pikërisht këtë duhet të sqarojë Policia, duke publikuar tenderin, listën e artikujve, prodhuesin, furnizuesin dhe dokumentet e marrjes në dorëzim.

Kërkesa për transparencë bëhet më e fortë nga marrëdhënia e këtyre biznesmenëve me shtetin. MSSC është partnere e KAYO-s në M.K.D dhe Guna Tactical; kompanitë ku merr pjesë Yeffet janë partnere të saj në TIMAK Defence dhe Advanced Arms Technology.

Këto partneritete përfitojnë nga një rrugë e posaçme furnizimi: për produktet e listuara, institucionet duhet t’i drejtohen fillimisht KAYO-s dhe, kur ajo mund t’i ofrojë, të negociojnë drejtpërdrejt.

Pjesëmarrja në tenderët e shtetit nuk është krim. Por marrëdhënia e privilegjuar me porositë publike kërkon transparencë më të madhe. Sidomos kur në rrugë raportohen të mitur të lënduar: kush i furnizoi këto municione, sa kushtuan dhe cilat janë kufizimet e përdorimit të tyre?