Grupet e organizuara kriminale shqiptare në Itali nuk shihen më thjesht si bashkëpunëtorë në trafikun e drogës me mafian italiane.
Në disa prej rrjeteve më të fuqishme kriminale të Italisë Veriore, ato kanë fituar një rol që prokurorët italianë e përshkruajnë si gjithnjë e më të afërt me atë të organizatave tradicionale mafioze.
Ky është një nga përfundimet të raportit të Komisionit Parlamentar Antimafia të Italisë, i cili shqyrton shtrirjen e ’Ndrangheta-s në ekonominë dhe territorin e veriut të vendit.
Në qendër të këtij transformimi qëndron hetimi Hydra, i zhvilluar në Lombardi, ku autoritetet kanë dokumentuar marrëdhënie mes ’Ndrangheta-s, Cosa Nostra-s dhe grupeve kriminale shqiptare.
Prokurorja italiane Alessandra Cerreti i përshkruan përfaqësuesit e grupeve kriminale shqiptare si “një prani të heshtur, por të vazhdueshme dhe të kualifikuar”, përkrah dy prej organizatave historike mafioze të Italisë.
Sipas dëshmisë së saj, përfaqësues të grupeve shqiptare kanë qenë të pranishëm në momentet më të rëndësishme të jetës së organizatës, përfshirë takimet e nivelit të lartë.
Fakti që ata mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të dëgjojnë diskutime mbi çështjet thelbësore të organizatës, thekson prokurorja, kërkon një rivlerësim të rolit të tyre.
Në raport, ky pozicion përshkruhet si ai i bashkëbiseduesve gjithnjë e më të rëndësishëm, pothuajse në nivel të barabartë me grupimet tradicionale mafioze.
Një aleancë që shkon përtej drogës
Rëndësia e grupeve shqiptare lidhet veçanërisht me aftësitë e tyre operative, logjistike dhe ndërkombëtare në trafikun e narkotikëve.
Sipas prokurorëve italianë, disa prej këtyre grupeve kanë arritur të bëhen bashkëbisedues të domosdoshëm për organizatat mafioze italiane në segmente të caktuara të tregut të drogës.
Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët kanë zëvendësuar mafiet historike.
Përkundrazi, raporti përshkruan një transformim të tregut kriminal të Lombardisë, ku organizatat tradicionale ruajnë strukturën dhe ndikimin e tyre, ndërsa bashkëpunojnë me grupe të huaja që zotërojnë kapacitete të veçanta ndërkombëtare.
’Ndrangheta, sipas dokumentit, mund të bashkëpunojë njëkohësisht me mafiet italiane, grupet shqiptare, rrjetet amerikano-jugore të narkotrafikut dhe sistemet kineze të transferimit të parave, pa humbur strukturën familjare dhe lidhjet me Kalabrinë.
Kjo aftësi për t’u përshtatur përbën një nga karakteristikat kryesore të zgjerimit të saj.
Portet italiane dhe lidhjet me Amerikën e Jugut
Një tjetër pjesë e raportit, e mbështetur në dëshminë e prokurorit të Gjenovës, Nicola Piacente, përshkruan lidhjet mes organizatave kalabreze dhe grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas Piacente-s, hetimet e fundit kanë zbuluar “marrëdhënie të qëndrueshme dhe absolutisht paqësore, madje strategjike” mes organizatave kalabreze dhe atyre shqiptare.
Portet e Gjenovës, Vado Ligure-s dhe La Spezia-s identifikohen si pika të rëndësishme të hyrjes së ngarkesave të drogës që mbërrijnë përmes rrugëve detare nga Kolumbia, Ekuadori, Peruja, Kili dhe Brazili.
Prokurori përshkruan të paktën gjashtë ose shtatë rrugë të identifikuara për transportin dhe shkarkimin e narkotikëve.
Në disa raste, grupet shqiptare kanë përdorur edhe zhytës për të nxjerrë drogën nga anijet ose zonat portuale.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përfshirjen e punonjësve të logjistikës dhe transportit brenda porteve, të cilët mundësojnë identifikimin dhe nxjerrjen e ngarkesave nga kontejnerët.
Piacente saktëson, megjithatë, se autoritetet nuk kanë prova për përfshirje strukturore të kompanive të transportit detar.
Milano, qendra ku droga kthehet në kapital
Sipas raportit, hetimi Hydra tregon se trafiku i narkotikëve nuk është vetëm një veprimtari kriminale më vete, por edhe burimi financiar që ushqen pastrimin e parave dhe depërtimin në ekonominë e ligjshme.
Prokuroria e Milanos e përshkruan territorin milanez si një nga nyjat më të rëndësishme ndërkombëtare për furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.
Kapitalet e krijuara nga importimi i sasive të mëdha të narkotikëve, sipas hetuesve, mund të riinvestohen në veprimtari ekonomike, duke mjegulluar kufirin mes biznesit të ligjshëm dhe strukturave kriminale.
Në këtë mjedis, organizatat mafioze nuk mbështeten vetëm te dhuna apo kontrolli territorial. Ato përdorin marrëdhënie biznesi, struktura financiare dhe rrjete ndërkombëtare bashkëpunimi.
Pikërisht këtu qëndron edhe paralajmërimi më i rëndësishëm i raportit parlamentar: transformimi i mafies italiane nuk nënkupton zhdukjen e strukturave të saj tradicionale, por aftësinë për t’i kombinuar ato me forma të reja të veprimtarisë kriminale.
Dhe në këtë arkitekturë të re, sipas dëshmive të prokurorëve italianë, grupet kriminale shqiptare nuk qëndrojnë më domosdoshmërish në periferi.



