Ermal Beqiri, i kërkuar nga SPAK për dosjen e tenderëve të AKSHI-t dhe aktualisht i arrestuar në Francë, ka nisur një ofensivë ndaj mediave shqiptare që kanë raportuar për përfshirjen e tij të dyshuar në skandalin e prokurimeve publike.
Siç mëson Gazeta Jonë përmes kompanisë së tij “Soft & Solution”, Beqiri ka ndërmarrë veprime pranë Google kundër pothuajse të gjitha mediave online që kanë raportuar për skandalin e AKSHI-t dhe kanë përdorur fotografitë e tij në artikujt përkatës.
Formalisht, ankesat lidhen me pretendimin për shkelje të së drejtës së autaorit, pasi fotografitë e biznesmenit janë marrë nga profili i tij në LinkedIn dhe janë përdorur nga mediat pa autorizim.
Por, sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, shqetësimi i vërtetë i Beqirit nuk lidhet thjesht me përdorimin e fotografive. Dyshohet se pretendimet për shkelje të së drejtës së autorit po përdoren si një instrument për të kërkuar heqjen nga rezultatet e Google të artikujve që dokumentojnë akuzat dhe hetimet e SPAK ndaj tij.
Në dokumentacionin e ankesave të përcjella nga Google, si subjekt i përfaqësuar për të drejtat e pretenduara mbi fotografitë figuron kompania “Soft & Solution”, në pronësi të Beqirit.
Megjithëse objekti formal i ankesave janë fotografitë, pasojat mund të shkojnë përtej tyre. Nëse Google pranon kërkesat për heqjen e adresave elektronike të artikujve nga rezultatet e kërkimit, lajmet mund të bëhen shumë më të vështira për t’u gjetur nga publiku, edhe nëse vijojnë të jenë të publikuara në faqet e mediave.
Kjo ngre pikëpyetje për përdorimin e procedurave të mbrojtjes së të drejtës së autorit si mjet për kufizimin e shpërndarjes së informacionit me interes publik.
Lëvizja merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të situatës gjyqësore të biznesmenit në Francë, ku ai po kundërshton ekstradimin drejt Shqipërisë dhe, sipas raportimeve mediatike, ka paraqitur kërkesë për azil.
Beqiri ndodhet në paraburgim në Francë që prej korrikut të këtij viti, pasi u ndalua nga autoritetet franceze pas hyrjes me avion në një hapësirë ajrore të kufizuar pranë një centrali bërthamor.
Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij, ndërsa prokuroria franceze është shprehur në favor të dorëzimit. Vendimi përfundimtar mbetet në kompetencën e drejtësisë franceze.
Në Shqipëri, Beqiri është nën hetim nga SPAK për dyshime që lidhen me manipulimin e tenderëve të AKSHI-t, korrupsionin, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Hetimet përfshijnë edhe dyshimet për pengmarrjen e biznesmenit Gerond Meçe, në kontekstin e konfliktit mbi procedurat e prokurimeve publike.
Kompania e Beqirit, “Soft & Solution”, ka qenë ndër përfituesit e kontratave të rëndësishme publike në sektorin e teknologjisë së informacionit, ndërsa procedurat e prokurimit ku ajo është përfshirë kanë qenë objekt raportimesh të shumta mediatike.
Në këtë kontekst, përpjekja për të larguar nga rezultatet e kërkimit artikujt që raportojnë mbi hetimet ndaj tij ngre shqetësime për transparencën dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
E drejta e autorit është një e drejtë e mbrojtur ligjërisht, por përdorimi i saj për të kufizuar aksesin në raportime gazetareske për çështje të interesit publik do të përbënte një problem serioz për lirinë e informacionit.
Ndërsa në Francë po përpiqet të shmangë ekstradimin, Beqiri ka hapur një tjetër front përballjeje, këtë herë me mediat shqiptare dhe artikujt që kanë dokumentuar hetimet ndaj tij.
Nëse qëllimi është heqja e fotografive apo zhdukja e lajmeve nga Google, mbetet një çështje që kërkon sqarim. Por fakti që ankesat mbi fotografitë mund të çojnë në heqjen e artikujve të tërë nga rezultatet e kërkimit përbën thelbin e shqetësimit për këtë praktikë. /gazetajone



