Ndotja e rëndë e lumit Gjanica në Fier, e shkaktuar nga derdhja e mbetjeve hidrokarbure në ujërat e tij, ka çuar në bankën e të akuzuarve Uzinën e përpunimit të naftës dhe drejtuesin e saj teknik, Robert Shehaj.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe i ka dërguar ata në gjyq nën akuzën e veprës penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, e parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Uzina e Fierit është në pronësi të kompanisë Al Global Oil, e cila e bleu nga ARMO. Al Global zotërohet 100 për qind nga Europetrol, që në pikat e karburanteve njihet me emrin Eida. Kjo kompani është në pronësi të biznesmenit Friden Kuqi.
Si u helmua lumi Gjanica për të kursyer kostot
Hetimet e nisura mbi procedimin penal nr. 1484 të vitit 2023 kanë zbuluar një skemë të pastër abuzimi me mjedisin, e cila kishte si qëllim të vetëm shmangien e shpenzimeve financiare. Ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës në zonën e Drizës, Qendër-Fier, duhej të grumbulloheshin në bllokun e pastrimit dhe t’i nënshtroheshin trajtimit të posaçëm përpara se të shkarkoheshin në pikën e autorizuar.

Por, në vend të filtrimit, ujërat e ngarkuara me lëndë hidrokarbure derdheshin direkt në një përrua, i cili pas vetëm 17 metrash përfundonte në shtratin e lumit Gjanica. Sipas organit të akuzës, kjo ndotje vijoi edhe pasi uzina kishte ndërprerë aktivitetin e saj, pasi ujërat e ndotura ishin lënë në depozitat e bllokut të pastrimit duke vijuar të rrjedhin në natyrë.
Analizat alarmante: Ujëra në “Gjendje të keqe”
Përmasat e dëmit mjedisor janë vërtetuar përmes inspektimeve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe analizave laboratorike. Në kampionet e marra në daljen e vaskës së shkarkimit, prania e produkteve të naftës rezultoi 13,8 mg/l, duke tejkaluar ndjeshëm kufirin maksimal prej 10 mg/l të përcaktuar në Lejen e Mjedisit.
Për shkak të ngarkesës së lartë ndotëse, ujërat e shkarkuara janë klasifikuar zyrtarisht në Klasën V – “Gjendje e keqe”, duke dëmtuar drejtpërdrejt cilësinë e ujit, si dhe botën bimore e shtazore të lumit Gjanica.
Përgjegjësia penale e drejtuesit dhe kompanisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, drejtuesi teknik i uzinës, Robert Shehaj (R.Sh.), kishte dijeni të plotë për këtë pikë shkarkimi dhe kishte detyrimin ligjor e mundësinë fizike për ta mbyllur, kontrolluar ose pajisur me sistem trajtimi, por zgjodhi të mos marrë asnjë masë.
Nga ana tjetër, kompania ‘Al Global Oil’ SHA është marrë e pandehur si person juridik, pasi vepra penale është kryer në emër dhe në dobi të saj. Duke shkarkuar ujërat e patrajtuara në lumë, kompania ka kursyer kostot e pastrimit dhe transportit të mbetjeve të rrezikshme, duke përfituar financiarisht në kurriz të mjedisit dhe shëndetit të banorëve të Fierit, edhe për shkak të mungesës së kontrollit nga organet e saj drejtuese.

Prokuroria e Fierit bën me dije se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të ndotjes së lumit Gjanica, i cili mbetet një nga pikat më të nxehta të krimit mjedisor në vend. /Kapitali.al



