Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Levan-Tepelenë, pranë Rrethrrotullimit të Levanit.
Mësohet se dy automjete, një “Audi” dhe një “Benz”, janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes së fortë ka humbur jetën drejtuesi i “Audit”, 55-vjeçari Dashmir Beca.
Tre pasagjerë që udhëtonin në automjetin “Audi” janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në spital është dërguar edhe drejtuesi i automjetit “Benz”, i cili raportohet gjithashtu se është jashtë rrezikut.
Trupi i viktimës është transportuar në morg, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve të tij.
Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave të lejuara mund të ketë ndikuar në përplasjen fatale, por dinamika e saktë e aksidentit dhe përgjegjësitë do të përcaktohen në vijim të hetimeve.



