Një 55-vjeçar me origjinë shqiptare ka mbetur i plagosur pas një atentati me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së hënës në zonën e Patisias, në Athinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:55, në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themu Ninou, ku dy persona të panjohur, të cilët lëviznin me një motoçikletë, iu afruan 55-vjeçarit në momentin që ai po dilte nga banesa dhe hapën zjarr ndaj tij.
Viktima u qëllua në gjymtyrët e poshtme dhe u transportua me ambulancën e EKAB-it në spitalin “Gennimatas”. Sipas informacioneve të deritanishme, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e rëndë dhe jeta e tij nuk është në rrezik.
Pas sulmit, dy autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja me motoçikletë. Policia mbërriti në zonë dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes gjeti dhe sekuestroi tre gëzhoja dhe një plumb.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po hetohen edhe motivet e sulmit. Një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një konflikti të mundshëm të mëparshëm ose “larjes së hesapeve”, por deri tani nuk ka një motiv të konfirmuar zyrtarisht.



