Një aksident i rëndë detar është regjistruar në Gjirin e Ksamilit, ku një mjet lundrues është përplasur me skafin e Policisë Kufitare të Sarandës. Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën, ndërsa dy persona janë transportuar në urgjencën e Spitalit të Sarandës për ndihmë mjekësore.
Viktima është identifikuar si Albiano Kreci, 20 vjeç. Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se ishte duke drejtuar një mjet lundrues motorik detar, në formë automjeti, kur është përplasur me skafin e Policisë Kufitare.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar Krecit dëmtime të rënda. Ai është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit të Sarandës, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Burime paraprake bëjnë me dije se mjeti lundrues që drejtohej nga 20-vjeçari është fundosur pas aksidentit. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë dërguar në urgjencën e spitalit për ekzaminime dhe trajtim mjekësor.
Njoftimi i Policisë:
Ksamil, Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (makinë lundruese), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.



