l

Dy efektivë të policisë, pjesë e strukturës së narkotikëve, kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti në Korçë, në rrethana që dyshohet se lidhen me një operacion antidrogë.

Burime ekskluzive për Top News bëjnë me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete civile, ku njëri prej tyre drejtohej nga një agjent i narkotikëve, ndërsa pasagjer ishte një tjetër efektiv policie.

Sipas burimeve, dy efektivët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëri prej tyre mësohet se është shtruar fillimisht në spitalin e Korçës, ndërsa tjetri është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, pasi ka pësuar dëmtime në gjymtyrë.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se efektivët ndodheshin në Korçë në kuadër të një operacioni policor kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike. Dyshohet se një person i identifikuar si shpërndarës droge, në përpjekje për t’iu shmangur ndalimit, ka përplasur automjetin ku udhëtonin efektivët.

Lidhur me ngjarjen është arrestuar Vangjel Dushku, i cili sipas burimeve është kapur në posedim të 7 dozave kokainë.

Ndërkohë, burime nga AMP së Policisë bëjnë me dije për Top News se institucioni ka marrë njoftim për rastin dhe ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.