8d923cc3-9a80-42d3-ba14-180dcd5fcaa8

Një projekt i ri ndërtimi me përmasa të mëdha pritet të transformojë një pjesë të kodrave me ullishte dhe sipërfaqe të gjelbra në Farkë, mbi zonën e Liqenit të Thatë, ku sipas dokumenteve është miratuar ndërtimi i një kompleksi me 15 godina deri në 9 kate.

Sipas dokumentacionit, projekti do të zhvillohet nga kompania “Bega-07”, në një sipërfaqe prej rreth 31 mijë metrash katrorë truall. Kompleksi parashikon afro 94 mijë metra katrorë ndërtim mbi dhe nën tokë, me objekte banimi dhe shërbimi.

Dokumentet tregojnë se Këshilli Kombëtar i Territorit ka dhënë miratim me kusht për lejen e ndërtimit të objektit “kompleks banimi dhe shërbimi me 1 deri në 9 kate mbi tokë dhe me 1, 2 dhe 3 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë. Kushtet lidhen me plotësimin e dokumentacionit tekniko ligjor dhe pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë Tiranë.

Sipas Vox News, këto procedura janë përmbushur dhe në terren kanë nisur punimet për përgatitjen e zonës ku do të ndërtohet kompleksi. Projekti reklamohet nga kompania me emrin “Centaurea”, duke u prezantuar si një zhvillim rezidencial i integruar me natyrën.

Në materialet promovuese, kompania e përshkruan projektin si një “peizazh të ri urban” që respekton mjedisin dhe ofron një stil jetese të gjelbër, mes qytetit dhe natyrës.

Projekti ka rikthyer debatin mbi ritmin e zhvillimit urban në zonat e gjelbra të kryeqytetit, në një kohë kur diskutimet për ndërhyrjet në mjedis janë intensifikuar edhe pas polemikave të fundit për investimet e planifikuara në Zvërnec.

Emri i kompanisë “Bega-07” dhe i biznesmenit Arben Muçobega është përmendur edhe më herët në raportime mediatike lidhur me projekte zhvillimi në bregdetin e Himarës, përfshirë zonën e Llamanit. Vox News ka raportuar më parë për një projekt tjetër të kësaj kompanie në Gjirin e Llamanit, me sipërfaqe mbi 100 mijë metra katrorë.

Sipas raportimit, projekti në Farkë përfaqëson një nga zhvillimet më të mëdha rezidenciale të planifikuara vitet e fundit në këtë pjesë të Tiranës, një zonë që deri më sot është karakterizuar nga sipërfaqe të gjelbra, ullishte dhe dendësi më e ulët ndërtimi krahasuar me pjesën tjetër të kryeqytetit.