Eugert Sino, personi që kishte në pronësi furgonin ku u gjet arsenali i armëve në zonën e Myslym Shyrit, rezulton që të ketë qenë i punësuar më herët në lokalin “Monopol”, në pronësi të Aurel Hoxhës. Policia ka dyshime se Sino ka vepruar pikërisht për llogari të Hoxhës, i cili është shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, për disa ngjarje të rënda kriminale.
Armët u gjetën në një furgon, që ishte prej muajsh i parkuar në zonën e Myslym Shyrit, dhe kamuflohej me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, Sino i marrë në pyetje mbrëmjen e djeshme nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka dijeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Mësohet mjeti me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore” kishte më shumë se një muaj që qëndronte i parkuar në zonë dhe se është ruajtur me efektivë civilë për të zbuluar kush hynte dhe kush dilte nga furgoni.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.
Sipas burimeve mësohet se armët e kapura në Tiranë, dyshohet se ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.
Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit. /zeri


