IMG_4477

Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama në Jerusalem po hap një debat mbi historinë e lashtë të Shqipërisë: a u themeluan vërtet Orikumi dhe Finiqi nga hebrenj të ardhur nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit?

Një nga reagimet ka qenë ai i studiuesit Auron Tare që ka kritikuar deklaratat e Ramës për origjinën e qyteteve antike të Orikumit dhe Finiqit. Tare ngre pikëpyetje mbi pretendimin se këto qytete janë themeluar nga hebrenj të ardhur nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit, duke iu referuar burimeve antike dhe dëshmive arkeologjike që i vendosin ato shumë më herët në histori.

Shënimi i Auron Tares:

“Zbulimi i Shekullit” nga Emisioni i Kel Demit në Parlamentin Israelit”

Si u themeluan Orikumi dhe Finiqi nga Hebrenj të ardhur nga Jerusalemi?

“There were 3000 Hebrews in 70-73 AD, shortly after the destruction of the Temple, who found shelter in Albania. I am highlighting this because there aren’t many among the Jewish community who know the history, and even they happen to know, history wasn’t just World War II and the custom “Besa”. It goes back deep to history. These 3000 Jews, after they successfully hijacked a roman vessel carrying them to be held in slavery, these Jews berthed in the Albanian shores and founded flourishing cities like Phoinikè or Orikum” Primi Minister of Albania Edi Rama https://kryeministria.al/…/jerusalem-izrael-fjala-e…/…

“They even created a city named Jericho. We call it Oricum and it was founded by the Jews.” https://www.jpost.com/diaspora/article-748629…

Jerusalem Post 3.July.2023 Prime Minister of Albania Edi Rama

Burimet Antike

ὨΡΙΚΟΙ. Οἱ δὲ Ὠρικοὶ κατοικοῦσι τῆς Ἀμαντίας χώρας. Οἱ δὲ Ἀμαντιεῖς εἰσὶ μέχρι ἐνταῦθα Ἰλλυριοὶ ἀπὸ Βουλινῶν. Τὸ δὲ στόμα τοῦ Ἰονίου κόλπου ἐστὶν ἀπὸ Κεραυνίων ὀρῶν μέχρι ἄκρας Ἰαπυγίας.

“ORIKOI. Orikoi banojnë në tokën e Amantias. Amantët janë ilirë deri në këtë pikë, që nga Boulinoi”

Scylaxi i Cariandres shek IV-V p.k.

Finiqi i Kaonise

“τὴν ὀχυρωτάτην ἅμα καὶ δυνατωτάτην πόλιν τῶν ἐν Ἠπείρῳ

“Qyteti më i fortë dhe më i fuqishëm në Epir.”

Polybius, Histories 2.5–2.8,

“Phoenice urbs est Epiri

Fenikia është një qytet i Epirit.”

Livy, Ab Urbe Condita 29.12–16.

Përmendja më e hershme epigrafike e dëshmuar në mënyrë të sigurt e Finiqit te Kaonise është mbishkrimi Argiv i teorodokoi, të dërguarve të shenjtë (theoroi) që vinin nga Argosi ​​në lidhje me festat fetare. I datuar afërsisht në vitin 330 p.e.s. Mbishkrimi regjistron emrin e vendit [Φοιν]ίκα dhe nuk përmban asnjë referencë për një themelim nga kolone hebrej apo për një themelues te vetem.

Rreshti i rëndësishëm për Fenikën Kaonase është shkruar s i me poshte- [Φοιν]ίκα · Σατύρινος, Πυλάδας, Κάρχας. afërsisht: “[Foin]ika, Satyrinos, Pyladas, Karchas.” Emrat janë individët e lidhur me Fenikën të cilët u përcaktuan si theorodokoi. burimi : amsdottorato.unibo.it

( Një theorodokos ishte në thelb një mikpritës/zyrtar i emëruar për të pritur ambasadorët e (theoroi) që vinin nga një vend i shenjtë Këta të dërguar udhëtonin për të njoftuar festat e ardhshme fetare)

 

Auron Tare: Si mundet që kryeministri Rama të deklarojë se Finiqi

Muret Qiklopike të Finiqit të Kaonisë. Arkeologu italian Ugolini.

 

“Zbulimi i Shekullit” nga Emisioni i Kel Demit ne Parlamentin Israelit”

Si u themeluan Orikumi dhe Finiqi nga hebrenj të ardhur nga Jerusalemi?

Prej disa ditësh qarkullojnë në rrjetet sociale disa pjesë nga fjalime të Kryeministrit shqiptar, të mbajtura në Jerusalem dhe në Tiranë, në të cilat hidhen disa teza të pazakonta mbi historinë e qyteteve antike të Shqipërisë.Sipas këtyre deklarimeve, dy prej qyteteve më të rëndësishme të botës antike në territorin e sotëm shqiptar Orikumi dhe Finiqi qenkan themeluar nga kolonë hebrenj të larguar nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit nga ushtritë romake. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një tezë interesante nga ato qe shpesh prezantohen tek emisioni I Kel Demit per te argetuar publikun ne mengjez. Por kur një hipotezë e tillë paraqitet nga Kryeministri i një vendi në një forum ndërkombëtar, ajo nuk është më thjesht një kuriozitet historik. Ajo merr peshën e një deklarimi publik dhe, nëse nuk mbështetet nga burime shkencore, mund të kthehet në një problem serioz për mënyrën se si interpretohet dhe prezantohet historia.

Një Kryeministër që ka në dispozicion Akademinë e Shkencave, Institutin e Arkeologjisë, universitetet shqiptare dhe një komunitet të tërë studiuesish, përpara se të paraqesë në Jerusalem ose në një forum ndërkombëtar një tezë të tillë duhet të ketë pas vetes një argumentim shkencor të dokumentuar. Nëse Finiqi është një qytet i themeluar nga kolonë hebrenj të ardhur nga Jerusalemi, duhet të ekzistojnë gjurmë të kësaj kolonie, dëshmi epigrafike, materiale arkeologjike, dëshmi historike, ndryshime të dallueshme në kulturën materiale, ose së paku burime të lashta që e lidhin themelimin e qytetit me një migrim të tillë. Deri më sot, një provë e tillë nuk është zbuluar, as nga kërkimet e hershme arkeologjike të drejtuara nga Luigi Maria Ugolini, as kërkimet e mëvonshme shqiptare, as ekspeditat dhe studimet ndërkombëtare të zhvilluara në Finiq nuk kanë prodhuar një dëshmi të tillë që ta identifikojë Finiqin si një koloni hebraike të themeluar nga të shpërngulurit prej Jerusalemit. Finiqi nuk shfaqet papritur në histori pas shkatërrimit të Tempullit të Jerusalemit në vitin 70 të erës sonë. Qyteti dhe territori i tij kanë një histori shumë më të hershme. Finiqi ishte qendra politike e Kaonisë dhe më vonë kryeqendra e Lidhjes së Epirit. Burimet antike e vendosin historinë e tij shumë shekuj përpara ngjarjeve të vitit 70.Pra, nëse dikush pretendon se qyteti është themeluar nga hebrenj të larguar nga Jerusalemi pas shkatërrimit të Tempullit, duhet të shpjegojë një paradoks elementar, Si mund të themelohet në shekullin I pas Krishtit një qytet që burimet antike e njohin shumë shekuj më parë?

E njëjta pyetje vlen edhe për Orikumin.Orikumi është një qendër e njohur e bregdetit të Epirit që shfaqet në burimet antike shumë përpara vitit 70 të erës sonë. Pseudo-Skylaksi, në përshkrimin e tij të brigjeve të Adriatikut dhe Epirit, e njeh Orikun, Më vonë qyteti shfaqet në burime të tjera greke dhe romake dhe luan një rol të rëndësishëm në historinë ushtarake të Adriatikut. Kjo nuk do të thotë se hebrenj nuk kanë jetuar në Epir, në Iliri apo në qytetet e bregdetit shqiptar. Përkundrazi, prania hebraike në hapësirën ballkanike është një temë historike serioze dhe e vlefshme për t’u studiuar.Por prania e hebrenjve në një qytet nuk është e njëjta gjë me themelimin e atij qyteti nga hebrenjtë. Ky është një dallim themelor për çdo dashamires te histories. Një komunitet mund të vendoset në një qytet ekzistues. Mund të krijojë një lagje, një sinagogë, një varrezë, të zhvillojë tregtinë dhe të ketë ndikim ekonomik e kulturor. Por prej kësaj nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se ai komunitet e ka themeluar qytetin. Përndryshe, me të njëjtën logjikë, çdo qytet ku kanë jetuar në periudha të ndryshme romakë, venecianë, osmanë, hebrenj, grekë apo shqiptarë do të mund të shpallej qytet i themeluar nga secili prej tyre. Kjo nuk është histori. Është etimologji politike.

Prandaj nëse zbulimet e fundit arkeologjike te konfirmuara nga Akademia e Shkencave flasin per nje zbulim te ri arkeologjik që ndryshon atë që dimë për themelimin e Orikumit apo Finiqit, ky do të ishte një lajm i jashtëzakonshëm për shkencën shqiptare.Do të ishte vërtet një “zbulim i shekullit” dhe mund te prezantohet ne cdo Forum Nderkombetar.

Përndryshe në se është një rrëfim politik për të marrë vëmendje dhe mbështetje personale do ishte mirë që në fillim të prezantohej në Emisionin e mëngjezit të Kel Demit pasi me të vërtetë do të shërbente për argëtimin e publikut në mëngjez, duke pire kafe sigurisht.