Policia e Kurbinit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur sot në mbrëmje në hyrje të Laçit, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një makine, me të cilën lëvzite shtetasi me inicialet M.N.
Të dyshuarit janë shtetasi P.GJ., dhe dy djemtë e tij, ku njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë.
Fatmirësisht nuk kemi asnjë viktimë apo të lënduar si pasojë e të shtënave.
Ende nuk dihen motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
“Rreth orës 18:55, në afërsi të hyrjes së qytetit të Laçit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi M. N. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Nga veprimet e shpejta janë identifikuar autorët e dyshuar: shtetasi P. Gj. dhe dy djemtë e tij, shtetasit H. Gj. dhe P. Gj. (njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit), ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit dhe dokumentimin e plotë të rastit.



