-640-0-berisha-gjkko-752x440-1763124239

Sali Berisha nuk duket aspak i qetë me takimin që pritet të zhvillohet sot pasdite në Durrës nga Salianji, Alimehmeti dhe të tjerë të votuar nga primaret në PD. Pasi në fillim e cilësoi “kafe mes demokratëve”, mbrëmë ai ka udhëzuar drejtues të strukturave të dërgojnë mesazhe anëtarëve të PD për të mos marrë pjesë në takimin e thirrur sot në orën 18 në qytetin e Durrësit.

Në mesazhin e dërguar thuhet se aktiviteti i shpallur “nuk është pjesë e agjendës së Partisë Demokratike” dhe konsiderohet “dezinformues”.

Më tej në të saktësohet se PD ka nisur procesin e analizës së brendshme, i cili zhvillohet vetëm brenda forumeve të partisë, duke nënkuptuar se çdo takim jashtë kësaj kornize nuk është i autorizuar. Anëtarëve u kërkohet të distancohen nga takimi i thirrur, duke e konsideruar atë të pambështetur nga strukturat zyrtare.

Mesazhi i dërguar mbrëmë i parapriu deklaratës së sotme të Sali Berishës, i cili e cilësoi takimin e Durrësit si aktivitet privat pa asnjë lidhje me PD. Me gjasë lëvizja e nisur nga një kafe do të nxitë reagime të brendshme dhe përplasje në një kohë që PD po hyn në vitin e trembëdhjetë të saj në opozitën e gjatë dhe të vështirë.