berisha

Sali Berisha e pranoi sot që dhënia e firmave për Endri Shabanin nga deputetët e PD ishte gabim. Në konferencën e sotme për shtyp ai tha se prandaj ato u tërhoqën: “Nuk them që ishte mirë që u dhanë firmat, po të mos ishte gabim, nuk tërhiqeshim, nuk tërhiqej mbështetja. Po të mos ishte gabim firmosja, nuk tërhiqej mbështetja. Unë dua ta pranoj një proces, por kjo erdhi krejtësisht nga një qëndrim i Partisë Socialiste e cila kishte qëllim të dilte tek opozita që donte. Me opozitën që don ai, ne nuk do jemi kurrë.”

PD ka vendosur të bojkotojë procesin e votimit të Avokatit të Popullit në seancën e parashikuar për ditën e nesërme. Socialistët duken të qartë në mbështetjen e tyre të kandidatit Endri Shabani, i cili në fakt është propozuar edhe me votat e deputetëve të PD ku spikasin emrat e Jorida Tabakut, Ina Zhupës, Agron Gjekmarkajt etj. Ndërkohë që bashkë me Endri Shabanin, në listën e kandidatëve të opozitës janë edhe emrat e:

6 kandidaturat për Avokat të Popullit

Adriana Kalaja – 44 firma
Aranita Brahaj – 35 firma
Besim Ndregjoni – 34 firma
Endrit Shabani – 35 firma
Skënder Haluci – 30 firma
Tartar Bazaj – 28 firma

Kandidatja e preferuar e Sali Berishës, Jola Hysaj, u skualifikua për shkak se për ta propozuar ishin vetëm 27 nga 28 vota. Procedura nisi me probleme që kur, për të propozuar kandidatët, deputetëve iu kërkua të firmosnin për më shumë se një kandidat. Çka shkaktoi probleme që më vonë reflektuan në një lëmsh që nuk arriti të zgjidhej.