Ka nisur me debate seanca e parë e Kuvendit, me Sali Berishën që zaptoi foltoren, edhe pse nuk lejohen diskutimet. Opozita refuzoi që të jepte propozimet e saj për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ndërkohë që seanca do të rifillojë në orën 17:00.
Në nisje të seancës së sotme, ishin të pranishëm në sallë ambasadorët më të rëndësishëm në vendin tonë, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë.
Seanca e sotme u drejtua nga deputeti Vasil Llajo, si deputeti më i vjetër në moshë, pas refuzimit të Sali Berishës dhe Tritan Shehut. Në Kuvend do të ulen për herë të parë 72 deputetë.
Opozita refuzoi që të paraqiste emrat e saj për Komisionin e Verifikimit të Mandateve, ndërsa Berisha zaptoi foltoren së bashku me një pjesë të deputetëve të tjerë të Partisë Demokratike.
“Kryesuesi i seancës nuk lexoi emrat e Bahri Bajrit, Pëllumb Gjokës. Nuk lexoi pra emrat e deputetëve të vërtetë të partisë së krimit, PS-së, por vetëm prestanomet. Lexoi Lubi Ballukun, mbi të cilën...,” tha Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentare të PS, Taulant Balla në bazë të nenit nr. 2 të rregullores paraqiti emrat e PS për komisionin, mes tyre Milva Ikonomi, Olsi Komnici, Aulona Bylykbashi, Hatixhe Konomi dhe Alkend Balla.
Komisioni do përcaktojë kryetarin dhe më pas do verifikojë figurën e 140 deputetëve dhe mandatin e tyre, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit në seancën që u shty në orën 17:00.



