Rej SHPK, një kompani që operon kryesisht në fushën e ndërtimit, pastrimit por edhe mirëmbajtjet e rrugëve, në pronësi të Luan Kaprit, ka fituar një sërë tenderash, me vlerë miliona euro përmes procedurave të dyshimta.
Emëruesi i përbashkët i kontratave të fituara, dhe lulëzimi i kësaj kompanie në marrëdhënie me institucionet publike, duket se lidhet me emrin e Jonaid Myzyrit, gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike.
Me rikthimin e këtij të fundit në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara, ‘dashuria’ me REJ SHPK, vijon edhe pse ndaj këtij të fundit ka një masë pezullimi me 6 muaj për pjesëmarrjen në tenderat publikë.
Në 11 Qershor të këtij viti, Agjensia e Prokurimit Publik, ka vendosur përjashtimin nga tenderat publikë për muaj të REJ shpk, megjithatë në një lajm të publikuar po sot nga mediat, mësohet se rreth një muaj më vonë REJ SHPK, së bashku me Fushën, janë përzgjedhur fitues për ndërtimin e spitalit të Korçës, edhe pse nuk ishin oferta më e favorshme në garë.
Fillimisht Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në OBP kishte shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë Dion-Al dhe Ergi, të cilat ofruan çmimin rreth 777 milionë lekë ose 8.4 milionë euro për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Shpallja e këtij fituesi ishte publikuar dhe në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, megjithatë disa javë më vonë gjithçka ndryshoi.
Fusha dhe Rej, kishin aplikuar vendimin e parë, dhe Komisoni i Shqyrtimit të Ankesave po brenda OBP-së, vendosi ndryshimin e fituesve, duke ia dhënë pikërisht dy kompanive të mësipërmve, që në fakt kishin dhënë ofertën e tretë më të favorshme në garë, me vlerë 912.7 milionë lekë ose 10 milionë euro.
Pra me një të rënë të lapsit, agjensia që drejtohet nga Myzyri, për vetëm një tender të fituar nga REJ dhe FUSHA, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej më shumë se 1.5 milionë eurosh. Vendimi i marrë dje nuk është publikuar ende në faqen zyrtare, ndërsa akoma dhe më skandaloze është fakti që kompania REJ, vazhdon që të jetë në garë për tenderat publikë, edhe pse ka një vendim në fuqi për pezullimin e saj me 6 muaj.
Pezullimi i kësaj kompanie u bë për shkak të falsifikimit të dokumentave, në një procedurë të mëparshme tenderimi, për pastrimin e spitalit të Traumës, por megjithatë bunkerizimi i institucioneve publike, ka bërë që të mos ketë asnjë informacion nëse OBP që drejtohet nga Myzyri, e ka dërguar rastin e falsifikimit të dokumenteve, në prokurori, sa kohë që kjo përbën një vepër penale.
Mediat shkruajnë se një sërë tenderash të fituara nga REJ shpk, që duket se janë ‘padronë’ jo vetëm të punëve në Pogradec, por kanë lidhur marrëveshje me një sërë institucionesh të tjera vendore.
Në total REJ SHPK ka fituar 99 tendera nga të gjithë institucionet në vend, nga të cilët 62 i ka fituar vetëm dhe pjesën tjetër si bashkim operatorësh. Numri më i madh i tenderave të kësaj kompanie janë fituar në sektorin e qeverisjes vendore, ndërsa nuk mungojnë dhe tenderat në sektorin e shëndetësisë. Bilanci i fundit që kompania ka bërë publik, është ai i vitit 2022, ku deklarohet një xhiro prej 591 milionë lekësh, ose e thënë ndryshe rreth 6 miliardë lekë të vjetra.
Përveç tenderave ku janë shpallur fitues që në fillim, lidhja me Myzyrin bëhet veçanërisht e dukshme, në rastet kur REJ është skualifikuar, apo nuk është përzgjedhur fitues në shkallën e parë, dhe me vendim të vetë ish-kreut të KPP, tashmë në krye të OBP, firmës pogradecare i janë dëgjuar ankesat.
Dy nga tenderat më flagrantë janë ai për pastrimin e Spitalit të Traumës në vitin 2022, me vlerë 113,365,021.65 si dhe mirëmbajtja e rrugës Zëmblak–Goricë–Doganë me vlerë 191,331,834.08. Në të dyja këto ankesa, ku REJ shpk nuk ishte shpallur fitues në procedurën e parë, ka qenë Myzyri ai që i ka shpallur fitues pas ankesave.
Në total llogaritet që vlera e tenderave që REJ ka marrë nga buxheti i shtetit të jetë më shumë se 30 milionë euro, ndërsa interesante mbetet dhe ‘martesa’ që kanë me të gjitha kahët e politikës. Pavarësisht se vëllai i Luan Kaprit, Eduart Kapri ka drejtuar për disa vite bashkinë e Pogradecit, nën siglën e Partisë Demokratike, frytet për partinë vijojnë të vijnë edhe përgjatë qeverisjes prej disa mandatesh të socialistëve. Myzyri duket të jetë guri i shahut, që familjes Kapri i mjafton për të kapur numrin e 100 tenderave nga kompanitë publike, edhe pse nje pjesë e tyre me flamuj të kuq, për mungesën e garës mes operatorëve, apo për vlerat që janë në kufijtë e fondit limit.



