Në Tiranë, në Paris, në Milano e në Bruksel, protestat e të rinjve kanë sjellë imazhe gati identike: njerëz me maska e veshje të zeza, që gjuajnë me gurë, tulla e shishe në drejtim të policisë, ndërsa dëmtojnë pronën publike e private, djegin koshat, shkatërrojnë pritoret e sinjalistikën rrugore, prishin fasadat e bankave, thyejnë bankomatët dhe plaçkisin bizneset përgjatë rrugës, që për ta përfaqësojnë pushtetin dhe paranë.
Në fakt ekziston një term për këtë mënyrë veprimi: “black bloc”. Nuk është organizatë apo grupim politik, por është taktikë proteste, ku pjesëmarrësit vishen me të zeza dhe mbulojnë fytyrat me shalle, kapuça apo helmeta, dhe nganjëherë mbajnë shkopinj.
Sipas analizave të ndryshme, taktika e “black bloc” shërben për tri qëllime primare: shmangien e identifikimit nga kamerat e sigurisë, krijimin e iluzionit të një mase më të madhe, si dhe mbrojtjen nga pajisjet e policisë, si gazi lotsjellës dhe spreji me piper.
Ajo lindi për herë të parë në Gjermaninë Perëndimore gjatë viteve 1980 nga lëvizjet anarkiste, gjatë dëbimeve nga ndërtesat e uzurpuara në Berlin. Gjermania, madje, miratoi në vitin 1985 një ligj që e ndalon mbulimin e fytyrës. Ndalime të ngjashme ekzistojnë sot në Austri, Spanjë, Danimarkë dhe në shumë vende të tjera të Evropës.
Megjithatë, bota e mësoi emrin e “black bloc” më 30 nëntor 1999. Në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, grupet “black bloc” thyen xhamat e McDonald’s, Nike, Gap dhe disa bankave gjatë protestave kundër Organizatës Botërore të Tregtisë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ligjet kundër maskave janë edhe më të vjetra: gjurmohen që nga viti 1845, kur fermerë të maskuar sulmuan forcat e rendit në shtetin e Nju Jorkut. Gjatë shekullit XX, shumë shtete të tjera amerikane miratuan ligje kundër maskave, kryesisht për të luftuar grupin racist Ku Klux Klan (KKK).
E brenda taktikës së “black bloc” ka edhe një rregull të pashkruar për të cilin flasin studiuesit: dhuna ndaj njerëzve është tabu, përveç kur është përgjigje ndaj dhunës policore, ndërsa dëmtimi i pronës, sidomos i simboleve të oligarkisë, është legjitim.
Për më tepër, shumë aktivistë e kritikojnë përdorimin e taktikës “black bloc” sepse përplasjet e dhunshme zbehin karakterin paqësor të protestave. Sipas tyre, pamjet e kaosit tërheqin të gjithë vëmendjen e mediave kryesore, duke e zhvendosur fokusin e publikut nga mesazhi thelbësor dhe kërkesat e protestës drejt skenave të dhunës.



