pogradec

Familja e ish-kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, është shpallur fituese e një tenderi të ri me vlerë rreth 4.5 milionë euro nga vetë Bashkia e Pogradecit. Kryetari aktual Ilir Xhakolli ka shpallur fituese kompaninë “REJ”, ku 80 për qind të aksioneve zotërohen nga familja Kapri dhe 20 për qind nga biznesmeni i njohur Gëzim Salillari, i njohur ndryshe si “Gëzimi i Kashtës”.

Siç konstaton Gazeta Jonë, tenderi ka pasur një fond limit prej 436 milionë lekësh, ndërsa oferta fituese ishte 430 milionë lekë. Objekti i kontratës është “pastrimi, grumbullimi dhe largimi i mbeturinave të qytetit të Pogradecit dhe njësive administrative” për një periudhë katërvjeçare.

Kohëzgjatja e gjatë e procedurës ka ngritur dyshime se kontrata është paracaktuar për të siguruar vazhdimësinë e kompanisë edhe përtej këtij mandati.

Procesi është shoqëruar me polemika, pasi disa kompani të tjera u skualifikuan nga gara, duke ngritur hije dyshimi mbi transparencën.

Kritikat shtohen edhe nga fakti që familja Kapri kthehet të menaxhojë sektorin e pastrimit, teksa vetë Eduart Kapri është nën hetim nga SPAK për dhënien e një lejeje ndërtimi për vëllain e tij.

Kjo nuk është hera e parë që kompania “REJ” përfiton kontrata të majme nga Bashkia e Pogradecit. Në fund të vitit 2019, e njëjta firmë fitoi një tender tjetër për pastrimin e qytetit me vlerë 625 milionë lekë (rreth 6.2 milionë euro), gjithashtu për një periudhë disa vjeçare.

Rasti aktual shton perceptimin se kjo kompani gëzon një trajtim të privilegjuar dhe lidhje të forta në qytetin e Pogradecit. /gazetajone