IMG_1226

Kontrolli i BKH-së në zyrat e biznesmenit Samir Mane dhe sekuestrimi i celularit të tij lidhen me një nga pjesët më të ndjeshme të dosjes së SPAK, ku përmenden komunikime për projektin “Green Coast” në Palasë.

Në këtë dosje dalin emrat e Artur Shehut, Artur Koçekut, i njohur edhe si Luçiano Koçeku, Alfredo Hamzait, Adrian Ramës dhe Ilir Shtufit. Sipas hetimeve, të ardhurat e siguruara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dyshohet se janë futur në ekonominë formale përmes sektorit të ndërtimit.

Një nga pistat lidhet me zonën e Palasës dhe me resortin “Green Coast”, projekt luksoz i lidhur me grupin BALFIN të Samir Manes.

BKH i bastisi zyrën dhe i sekuestroi celularin, a do t’i shpëtojë Samir Mane edhe dosjes së re të SPAK ku përfshihen edhe trafikantë kokaine dhe SMS për Green Coast në Palasë ?

Sipas materialeve hetimore, personat nën hetim kanë diskutuar për përfshirjen e një prone në këtë kompleks dhe për pagesa miliona euro.

Në shtator 2020, sipas SPAK, Alfredo Hamzai dhe Adrian Rama kanë komunikuar në telefon për ndërtimin e një kompleksi vilash dhe apartamentesh në zonën e Palasës.

Më pas, hetuesit kanë zbardhur edhe komunikime mes Hamzait dhe Luçiano Koçekut për të njëjtin projekt.

Në një bisedë të datës 30 janar 2021, Koçeku i shkruan Hamzait se i kishte thënë “Lirit” të shkonte të takonte “Zamirin” për të diskutuar për ndërtimin në tokë. Sipas dosjes, “Liri” dyshohet se i referohet Ilir Shtufit, ndërsa “Zamiri” Samir Manes.

Nga fotot e shkëmbyera në bisedë, sipas SPAK, provohet se komunikimi lidhej me tokat në Palasë.

Në vijim, SPAK evidenton komunikime ku flitet për një shumë që varionte nga 2 deri në 3 milionë euro. Sipas hetuesve, kjo shumë dyshohej se do t’i jepej biznesmenit Samir Mane për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në projekt dhe për sigurimin e lejes së ndërtimit.

Në bisedën e datës 24 shkurt 2021, Luçiano Koçeku i shkruan Hamzait se kishte folur me “Lirin” dhe me “Zamirin” dhe se ky i fundit kërkonte 3 milionë euro që toka e Hamzait të përfshihej në kompleks.

Sipas dosjes, në një tjetër komunikim të shkurtit 2021, personat nën hetim kishin zgjedhur opsionin e pagesës prej 3 milionë eurosh.

Në të njëjtat biseda përmendet edhe një shumë prej 1 milion eurosh cash, për të cilën hetuesit dyshojnë se mund të lidhej me marrëveshjen e pretenduar.

Marrëveshja e diskutuar në përgjime nuk kufizohej vetëm te pagesa.

Sipas SPAK, projekti do të zgjerohej nga rreth 30 vila në 40 vila, ndërsa 20% e tyre do t’i kalonin Alfredo Hamzait. Në biseda përmendet edhe një hotel me 120 dhoma, që do të mbetej në pronësi të Koçekut dhe Hamzait.

Në një tjetër komunikim të administruar nga SPAK, Alfredo Hamzai bisedon me një person të identifikuar si Ardian Zykaj.

Sipas përmbajtjes së bisedës, Hamzai pretendon se marrëveshja me Samir Manen për projektin në Palasë ishte finalizuar.

Ai shkruan se Mane do të merrte 3 milionë euro për ndërtimin e kompleksit të vilave në pronën e Hamzait, përmes një shtese në projektin “Green Coast 1”.

Pikërisht këto komunikime duket se kanë çuar SPAK-un te nevoja për të verifikuar rolin real të Samir Manes.

Sekuestrimi i celularit mund të shërbejë për të kontrolluar nëse ka pasur komunikime direkte apo indirekte me Ilir Shtufin, Alfredo Hamzain, Luçiano Koçekun, Artur Shehun apo persona të tjerë të përfshirë në dosje.

Nga ekspertiza e telefonit mund të verifikohet nëse ekzistojnë mesazhe, thirrje, dokumente apo kontakte që përputhen me kronologjinë e përgjimeve të janarit dhe shkurtit 2021.

Po ashtu, hetuesit mund të kontrollojnë nëse bisedat për pagesa, toka, leje ndërtimi dhe përfshirje në projekt kanë mbetur thjesht diskutime mes personave nën hetim apo janë shoqëruar me veprime konkrete.

Në dosje përmenden edhe komunikime të Adrian Ramës me Luçiano Koçekun, i cili del në hetime edhe për çështje të tjera, përfshirë dyshimet për tjetërsim pronash në Zvërnec, ku pritet të ndërtohet një resort turistik. Sipas SPAK, Artur Shehu dyshohet se ka ndihmuar Alfredo Hamzain për sigurimin e pronave në zonën e Palasës.

Megjithatë, deri në këtë fazë, ndaj Samir Manes nuk ka një akuzë zyrtare.

Emri i tij del në materiale hetimore dhe është subjekt verifikimesh, por kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale.

Nga ana tjetër, kompania BALFIN ka mohuar pretendimet, duke deklaruar se toka për të cilën flasin personat nën hetim nuk është bërë pjesë e projektit “Green Coast”.

Në këtë pikë, pesha e çështjes kalon te provat. SPAK duhet të provojë nëse bisedat për Palasën, pagesat e dyshuara dhe përfshirja e tokës në projekt kanë pasur vijim konkret në terren.

Deri atëherë, Samir Mane mbetet pa akuzë zyrtare dhe i pafajshëm në kuptimin ligjor.

Por kontrolli në zyrat e tij, sekuestrimi i telefonit dhe përmendja e emrit në një dosje kaq të rëndë e vendosin biznesmenin në një nga momentet më të vështira publike përballë drejtësisë së re.