aksidentiii

Janë zbardhur rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen e një 32-vjeçari në afërsi të fshatit Pojskë, në aksin rrugor Pogradec–Qafë Thanë.

Sipas hetimeve, 32-vjeçari Amarildo Islamaj, me origjinë nga Vlora, dyshohet se kishte vjedhur automjetin me të cilin u përfshi në aksident fatal.

Burime policore bëjnë me dije se automjeti ishte marrë në fshatin Lëneshnicë, pasi çelësat ishin lënë brenda mjetit. Pas vjedhjes, 32-vjeçari është larguar me shpejtësi, por pak minuta më vonë është përfshirë në një aksident në aksin Pogradec–Qafë Thanë.

Përplasja ka rezultuar fatale për të riun, i cili ka pësuar dëmtime të rënda dhe nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore në spital.

Policia e Komisariatit të Pogradecit ka marrë në pyetje edhe pronarin e automjetit, i cili ka denoncuar më herët vjedhjen e mjetit. Nga hetimet paraprake rezulton se 32-vjeçari është autor i dyshuar i vjedhjes së automjetit që u përfshi më pas në aksident.