IMG_0125

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër, ku gazetari Ervin Dushi është dhunuar nga tre persona. Pas ngjarjes, gazetari është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër, ku ka bërë kallëzimin për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat jashtë ambienteve të policisë, Dushi ka bërë me dije se gjithçka ka nisur pas një takimi me pronarin e marketeve “Xhedis” në Shkodër, Prek Gjonin.

Gazetari ka deklaruar se gjatë takimit është përballur me një sulm të papritur, ku tre persona e kanë goditur.

“Jam takuar me pronarin e marketeve Xhedis në Shkodër dhe pretendim i ishte se kishte kërkuar numrin tim personal avokati i tij pasi pak kohë më parë në një rrjet social kam publikuar disa video dhe i kanë marrë media të ndryshme ku ai kërcënonte një qytetar. Dhe avokati i tij kishte kërkuar takim me mua për të diskutuar çfarë faktesh kemi me këtë U paraqita në një mënyrë miqësore, pasi pak kohë më parë kam pirë dhe një kafe me zotërinë, u paraqita i pambrojtur, nuk prisja goditje. Por ky ishte rezultati i takimit. Pra Xhoni ishte vet i katërti, ku tre nga ata më dhunuan, kurse njëri u ndihmua të më ndihmonte. Tre ata më kanë goditur në mënyrë të pamëshirshme. Goditja më ka ardhur si pasojë e punës time si gazetar”, tha ai.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Policia e Shkodrës. Në njoftimin paraprak bëhet me dije se gazetari ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa persona përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave të dyshuar, shtetasit Prek Gjoni.

Policia njofton se po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

“Në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër është paraqitur shtetasi E. D., gazetar, i cili ka kallëzuar se rreth orës 20:00 është goditur me grushte nga disa shtetas, në lagjen “Skënderbeg”, përpara supermarketit “Xhedis”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë bërë identifikimin e njërit prej personave, shtetasit P. Gj., ndërsa po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt dhe shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas incidentit, gazetari është shprehur se do ta ndjekë çështjen në rrugë institucionale.

Aktualisht, Dushi nuk rezulton të jetë i punësuar në media, por prej vitesh jeton ne Suedi dhe angazhohet si freelancer me denoncime ne rrjetet sociale.

Vite me parë ka qenë gazetar në emisionin investigativ “Fiks Fare” deri në vitin 2010. Para se të largohej nga Shqipëria, atij i vendosën një sasi tritoli duke shkaktuar dëme materiale në banesën e tij.